Bota

Çavuşoğlu: Dëshirojmë t'i zgjidhim problemet në marrëdhëniet tona me SHBA-në

"Dëshirojmë t'i zgjidhim problemet e përjetuara në marrëdhëniet tona me SHBA-në. Takimi në Romë, mes presidentit të tonë dhe presidentit amerikan Biden ka qenë një takim i rëndësishëm në këtë aspekt", tha Çavuşoğlu

Betül Yürük  | 18.05.2022 - Përdıtësım : 18.05.2022
Çavuşoğlu: Dëshirojmë t'i zgjidhim problemet në marrëdhëniet tona me SHBA-në Foto: Fatih Aktaş - AA

New York

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu ka deklaruar se "Dëshirojmë t'i zgjidhim problemet e përjetuara në marrëdhëniet tona me SHBA-në", transmeton Anadolu Agency (AA).

I ndodhur në New York për takime në SHBA, Çavuşoğlu u takua me anëtarët e komunitetit Turko-Amerikan në Shtëpinë Turke.

Çavuşoğlu tha se pavarësisht se cilin vend vizitojnë, ata zhvillojnë takime me shtetas, me bashkatdhetarë dhe komunitetet mike të afërta ndërsa komunitetit turk në SHBA i uroi 19 majin - Ditën Përkujtimit të Ataturkut dhe Ditën Rinore dhe të Sportit e cila do të festohet dy ditë më pas.

"Bota po kalon në një periudhë të vështirë dhe është trazuar nga konfliktet dhe krizat", theksoi Çavuşoğlu i cili shtoi se këto luftëra dhe konflikte fatkeqësisht janë në pozitën gjeografike në të cilën ndodhet edhe Turqia.

Ai tha se teksa pandemia po përfundonte filloi lufta në Ukrainë dhe problemet në rajon vazhdojnë.

"Vizioni i lidershipit dhe sensit të përbashkët në këto periudha janë të arta. Kjo është vërejtur qartë edhe në luftën e Ukrainës. Në këto ditë të vështira me politikën tonë të jashtme aktive dhe parimore nën udhëheqjen e presidentit tonë ne vazhdojmë rrugën tonë dhe politika që kemi ndjekur në këtë proces vërehet nga të gjithë dhe përgëzohet nga të gjithë ata që e duan dhe nuk e duan. Të gjithë bashkëbiseduesit tanë nga Amerika Latine e deri në Afrikë dhe nga Lindja e Mesme e deri në Evropë flasin me lëvdata për rolin konstruktiv që Turqia ka ndjekur në këtë proces. Ne punojmë jo që të tjerët të na lavdërojnë, por për të siguruar kontribut në këtë proces të vështirë për paqen botërore", tha Çavuşoğlu.

Duke tërhequr vëmendjen se nuk është e lehtë të ndjekësh një politikë të pavarur në këtë periudhë të vështirë, Çavuşoğlu më tej tha:

"Si vendet ashtu edhe organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kohë krize kërkojnë që të mbahet ana e tyre dhe presionin e tyre e bëjnë në këtë drejtim. E shohim në diplomaci dhe nuk është ndonjë qëndrim shumë i pjekur. Kur një vend prish marrëdhëniet me një tjetër, ai ushtron presion mbi çdo vend që njeh dhe kërkon nga ata të ndërpresin marrëdhëniet me vendin me të cilin ka prishur marrëdhëniet".

"Vendet e tjera disa të cilat janë në nevojë të atyre vendeve, detyrohen të ndërmarrin vendime në këtë drejtim edhe pse nuk dëshirojnë. Unë këtë fatkeqësisht e kam parë shumë në procesin gjatë detyrës si ministër i jashtëm për një periudhë 7.5 vjeçare, por Turqia nuk ka shkuar kurrë në një rrugë të tillë, përkundrazi ka treguar përpjekje për pajtimin e vendeve që kanë prishur marrëdhëniet dhe për hedhjen e hapave në rritje të besimit për të zgjidhur problemet", tha Çavuşoğlu.

Sipas tij, Turqia sot ka siguruar kontribute për paqen botërore jo vetëm në gjeografitë pranë saj por edhe përtej saj. Ai tha se kanë punuar në mënyrë aktive për zgjidhjen e krizave nga Kolumbia e deri në Filipine.

Kryediplomati turk potencoi se në New York do të marrin pjesë në një takim lidhur me menaxhimin e migracionit në Kombet e Bashkuara (OKB) dhe se Turqia ndodhet në krye të vendeve që ka përvojën më të madhe në këtë çështje.

"Siguria ushqimore për shkak të luftës në Ukrainë dhe pandemisë së COVID-19 është një prej çështjeve më të ndjeshme", tha Çavuşoğlu i cili shtoi se do të marrë pjesë në takimet që do të mbahen në OKB për të dyja këto çështje.

- "Kemi formuar mekanizmin strategjik"

Duke bërë të ditur se do të zhvillojë edhe një takim dypalësh me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ministri Çavuşoğlu tha:

"Dëshirojmë t'i zgjidhim problemet e përjetuara në marrëdhëniet tona me SHBA-në. Takimi në Romë, mes presidentit të tonë dhe presidentit amerikan Biden ka qenë një takim i rëndësishëm në këtë aspekt. Me propozimin e Bidenit kemi formuar mekanizmin strategjik. Qëllimi i këtij mekanizmi është zgjidhja e çështjeve për të cilat kemi mendime të ndara për problemet e përjetuara në marrëdhëniet tona dypalëshe dhe në rajon ose për të zhvilluar punime se si mund të veprojmë së bashku në këtë çështje", tha Çavuşoğlu duke shtuar:

"Shpresojmë se sërish në kuadër të kësaj të zhvillojmë brenda këtij viti edhe një takim në nivel të liderëve. Uroj që të mund të zgjidhim problemet ose t'i pakësojmë ato në kuadër të këtij mekanizmi të orientuar për punime të fokusuara në rezultat. Po ashtu në këtë drejtim ne mund të zhvillojmë edhe bashkëpunimin tonë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın