Hakan Çopur
21 Dhjetor 2017•Përditësim: 22 Dhjetor 2017
NEW YORK (AA) - Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, në lidhje me miratimin e projektrezolutës së Kudsit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) me 128 vota pro dhe 9 kundër, tha se: "Do të punojmë edhe më shumë për pranimin e shtetit të Palestinës me kufijtë e vitit 1967, si dhe për njohjen e Kudsit Lindor si kryeqytet të saj", transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Çavuşoğlu me ministrin e Punëve të Jashtme të Palestinës, Rijad el-Maliki, pas miratimit të projektrezolutës së Kudsit në AP-OKB, dhanë një deklaratë të shkurtër për gazetarët.
Duke theksur se është shumë i kënaqur nga rezultati i votimit, Çavuşoğlu tha se: "Sot, Asambleja e Përgjithshme refuzoi në mënyrë të qartë vendimin e SHBA-ve për Kudsin. Në Asamblenë e Përgjithshme, u paraqit një solidaritet në lidhje me Palestinën dhe statusin e Kudsit. Ne jemi shumë të kënaqur me këtë solidaritet".
"Do të punojmë edhe më shumë për pranimin e shtetit të Palestinës me kufijtë e vitit 1967 dhe për njohjen e Kudsit Lindor si kryeqytet të saj", u shpreh Çavuşoğlu, duke shtuar e Turqia ashtu si deri më sot, edhe pas kësaj do të vazhdojë të mbrojë çështjen e Palestinës.
- "Kjo është një fitore" -
Ndërsa ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Rijad el-Maliki, duke e përcaktuar "fitore" rezultatin e votimit, tha se, "Kjo është një fitore. Sot për çështjen e Kudsit po hapim një faqe të re".
Pasi ka theksuar se votimi është kryer pavarësisht kërcënimeve të SHBA-ve dhe Izraelit, el-Maliki ka vlerësuar se, "Kërcënimet nuk ndryshuan asgjë. Kudsi është kryeqyteti i Palestinës dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen. Nuk frikësohemi nga kërcënimet. Para votimit kërcënuan, por rezultati i votimit është provë".
Projektrezoluta e titulluar "Kudsi Lindor i okupuar nga Izraeli dhe aktivitetet e tij në territoret palestineze", e përgatitur me iniciativë të Turqisë, u miratua në AP-OKB me 128 vota pro dhe 9 kundër, pavarësisht kërcënimeve të SHBA-ve, ndërkohë që 35 shtete abstenuan.
Rezoluta u referohet dhjetë rezolutave të kaluara të Këshillit të Sigurimit (KS) të OKB-së nga vitin 1967 e deri në vitin 2016. Në rezolutë theksohet nevoja për ruajtjen e "dimensioneve shpirtërore, fetare dhe kulturore të Kudsit".