Tuğçenur Yılmaz,Aşkın Kıyağan
30 Prill 2019•Përditësim: 30 Prill 2019
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik për Turqinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu, mori pjesë në "Mbledhjen e 4-t të ministrave të Jashtëm të V4+Turqisë" me pjesëmarrjen e vendeve të Grupit të Vishegradit dhe Turqisë në kryeqytetin e Sllovakisë, Bratisllavë.
Ai pas takimit zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak, ministrin e Jashtëm çek, Tomas Petricek, ndihmës ministrin e Jashtën polak, Marcin Przydacz dhe ministrin e Jashtëm hungarez Peter Szijjarto.
Çavuşoğlu tha se mbledhja ka qenë shumë produktive. Ai theksoi se në bisedime janë vlerësuar interesat e përbashkëta si dhe gjendja në Siri, Libi, Iran dhe Irak përfshirë edhe çështjet rajonale.
Kryediplomati turk gjithashtu në takim ka njoftuar homologët e tij në lidhje me atë se çfarë bën Turqia për zgjidhjen e çështjes së Sirisë, përfshirë çështjet e tërheqjes së SHBA-ve nga Siria, gjendja e fundit në Idlib, statusi i Idlibit, gjendja politike dhe tema të tjera.
"Çështja e migrimit të parregullt, është një problem i përbashkët që duhet ta luftojmë së bashku", tha ai duke shtuar se kjo çështje përveç sigurisë duhet të trajtohet edhe në aspektin humanitar.
"Ky është një problem global që të gjithë së bashku duhet ta luftojmë, nuk është vetëm e Evropës", u shpreh Çavuşoğlu.
Çavuşoğlu tha se marrëveshje për migrantët mes Turqisë dhe BE-së në këtë drejtim ka qenë efektive. Ai tha se mes tjerash kanë trajtuar edhe çështjen e luftës kundër terrorizmit.
Sipas ministrit turk, vendi i tij i ka ofruar BE-së kontribute në shumë tema si siguria, ekonomia dhe migrimi, ndërsa para anëtarësimit të Turqisë në BE ka pengesa politike.
"Sipas disave Turqia me 82 milionë banorë është një vend i madh. Për këtë shkak në PE do të ketë më shumë ulëse se vendet tjera. Përderisa për disa të tjerë, Turqia është një vend ku jetojnë kryesisht muslimanët. Në rast se BE-ja është një union fetar, atëherë në rregull. Në rast se BE-ja nuk dëshiron të ndajë fuqinë me ndonjë vend tjetër, edhe kjo është në rregull. E kuptojmë ekuilibrin mes Francës dhe Gjermanisë, por neglizhojnë se si Turqia mund t'i kontribuojë BE-së. Anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik për Turqinë. BE duhet të vendos nëse nuk dëshiron të pranojë Turqinë", theksoi Çavuşoğlu.
Turqia aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 1987 ndërsa negociatat filluan në vitin 2005, të cilat janë ndërprerë kohë pas kohe.