Britania dëboi një diplomat rus
Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi se si një hap reciprok, po ia revokojnë akreditimin një diplomati rus
Londër
Ambasadori rus në Londër, Andrey Kelin, u thirr në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar për t'u informuar për dëbimin e një diplomati britanik nga vendi i tij, transmeton Anadolu.
Një deklaratë me shkrim nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar tha: "Ne dënojmë me fjalët më të ashpra dëbimin e pajustifikuar nga Rusia të njërit prej diplomatëve tanë muajin e kaluar dhe akuzat e saj të pabaza kundër stafit tonë".
Në deklaratë thuhet se Kelin u thirr në Ministrinë e Jashtme në lidhje me këtë çështje, duke shtuar: "Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme thirri ambasadorin rus dhe e bëri të qartë se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë provokime kundër stafit të ambasadës. Prandaj, sot, si një hap reciprok, ne po ia revokojmë akreditimin një diplomati rus".
Thuhet se Rusia "përpiqet vazhdimisht të prishë punën e misionit diplomatik britanik me qëllim pengimin e mbështetjes për Ukrainën", dhe theksoi se çdo veprim i mëtejshëm nga Rusia do të konsiderohej një përshkallëzim i tensioneve dhe do të përballej me një përgjigje të ngjashme.
Danae Dholakia, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Britanike në Moskë, u thirr në Ministrinë e Jashtme muajin e kaluar dhe u informua se diplomati Gareth Samuel Davies, i cili punonte për ambasadën, ishte dëbuar me arsyetimin se ishte i lidhur me inteligjencën britanike.
Rusia i lëshoi një notë proteste Mbretërisë së Bashkuar, duke kërkuar që Davies të largohej nga Rusia brenda dy javësh.
Ministria e Jashtme e Britanisë e përshkroi vendimin si minim të kushteve themelore të nevojshme për funksionimin e misioneve diplomatike dhe deklaroi se do të reagonte në përputhje me rrethanat.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
