Ekip
10 Nëntor 2020•Përditësim: 10 Nëntor 2020
Rregullatori shëndetësor i Brazilit (ANVISA) njoftoi se ka "ndërprerë" provat klinike të një vaksine kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të zhvilluar nga kompania farmaceutike kineze Sinovac Biotech pas një "incidenti të rëndë" të regjistruar në 29 tetor ku ishte i përfshirë njëri prej vullnetarëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
ANVISA nuk dha detaje të mëtejshme rreth asaj që ndodhi, por tregoi në një deklaratë se incidente të tilla mund të përfshijnë vdekjen, efektet anësore potencialisht fatale, paaftësinë e rëndë, shtrimin në spital dhe "ngjarje të tjera të rëndësishme klinikisht".
Provat me vaksinën Sinovac po kryhen gjithashtu në Turqi, Indonezi dhe Bangladesh.
Instituti "Butantan" i Sao Paulos, një nga qendrat kryesore kërkimore biomjekësore të Brazilit, po kryente testet e Fazës së tretë, të cilat përfshinë 9.000 vullnetarë.
Sao Paulo kishte nënshkruar një marrëveshje me Sinovac për të blerë 60 milionë doza deri në fund të shkurtit dhe guvernatori Joao Doria tha se programi i imunizimit mund të fillonte që në janar 2021.
Megjithatë, presidenti Jair Bolsonaro ka thënë se qeveria e tij nuk do të blejë një vaksinë të prodhimit kinez, gjë që bëri disa të pyesnin nëse ai po përdorte politikë për të marrë vendime për shëndetin publik.
"Populli brazilian nuk do të jetë subjekt i eksperimenteve të askujt", tha Bolsonaro në rrjetet sociale në tetor.
Brazili ka raportuar më shumë se 5,6 milionë raste me COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, duke e bërë atë vendin e tretë më të prekur në botë pas SHBA-së dhe Indisë.