Miliona njerëz në mbarë botën sot kujtojnë Nelson Mandelën, burrështetasin e njohur dhe "liderin e lirisë dhe pajtimit", me rastin e 104-vjetorit të lindjes.
Kombet e Bashkuara në vitin 2009 caktuan 18 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës për të festuar ditëlindjen e tij dhe gjithashtu për të përkujtuar luftën kundër racizmit dhe aparteidit.
Për të nderuar Mandelën dhe kontributin e tij vetëmohues për njerëzimin, jugafrikanët nga të gjitha sferat e jetës po i kushtojnë 67 minuta nga koha e tyre vullnetarizmit për kauza të mira.
"Unë do të dhuroj xhaketa dhe batanije për të ndihmuar njerëzit e pastrehë që nuk mund t’i përballojnë këto sende", tha për Anadolu Agency (AA), Maria Lerato, një banore në Kensington në Johanesburg.
Afrika e Jugut është aktualisht në sezonin e saj të dimrit dhe Lerato beson se donacionet këtu do të jenë të dobishme për nevojtarët.
67 minutat e dedikuara për të ndihmuar nevojtarët janë referencë për numrin e viteve që Mandela kaloi në shërbim publik.
Muhammed Desai, drejtor i grupit të të drejtave të njeriut Africa 4 Palestine, tha se organizata e tij do t’i kushtojë kohën e saj sot kujtimit të frymës internacionaliste të Mandelës duke ngritur çështjen palestineze dhe pozicionin dhe mbështetjen e Mandelës për popullin palestinez.
Mandela dikur tha: "Ne e dimë shumë mirë se liria jonë është e paplotë pa lirinë e palestinezëve".
I lindur në fshatin Mvezo në provincën e Kepit Lindor, Mandela kaloi 27 vjet burg për kundërshtimin e regjimit të aparteidit.
Ai u bë presidenti i parë i Afrikës së Jugut i zgjedhur në mënyrë demokratike në vitin 1994.
Pavarësisht se ishte i burgosur për shumë vite, ai nuk shfaqi hidhërim, urrejtje apo hakmarrje ndaj torturuesve të tij. Në vend të kësaj, ai zgjodhi pajtimin dhe faljen për të bashkuar të gjitha grupet racore në Afrikën e Jugut. Qasja e tij e lidershipit dhe aftësia për t’i bashkuar të gjithë i dhanë atij admirim global dhe çmimin Nobel për Paqe në 1993.
Mandela ndërroi jetë më 5 dhjetor të vitit 2013 në moshën 95-vjeçare.
"Fryma e Nelson Mandelës ushqen popullin palestinez, i cili ende po lufton për lirinë e tij nga aparteidi izraelit. Në një farë mënyre, Mandela është i pranishëm çdo ditë në rrugët e Palestinës, ndërsa ata kërkojnë vendin e tyre të ligjshëm si një popull legjitim", tha Desai.
Çdo ditë është ditë e Mandelës
Saber Ahmed Jazbhay, një avokat i shquar i Afrikës së Jugut, thotë se çdo ditë është Dita e Mandelës për të dhe ai nuk pret deri më 18 korrik për të bërë mirë.
"Unë bëj atë që kam bërë gjatë gjithë jetës sime, dhe kjo është të përgjigjem duke ndihmuar njerëzit që kërkojnë ndihmën time", tha Jazbhay.
Ai tha se gjatë luftës së vendit kundër aparteidit në vitet 1980, ai ofronte ndihmë ligjore për të burgosurit.
"Asgjë nuk ka ndryshuar. Dita e Mandelës është çdo ditë për mua", tha ai, duke u bërë thirrje jugafrikanëve që të jenë të sjellshëm dhe të bëjnë mirë gjatë gjithë kohës për ata që kanë nevojë.
Mustafa Mheta, një profesor në Universitetin Kombëtar të Somalisë dhe kreu i Deskut Afrikan në Rrjetin e Rishikimit të Mediave me bazë në Johanesburg, tha se ka shumë jugafrikanë që ende përpiqen të përmbushin pritshmëritë e Mandelës, gjë që është e mirë. Por të tjerët, thotë ai, duket se e kanë braktisur atë trashëgimi.
"Ne kemi filluar të shohim shumë krime të urrejtjes si ksenofobia dhe afrofobia, të cilat nuk kanë ndodhur kurrë gjatë kohës së Mandelës", tha ai, duke bërë thirrje për tolerancë.
Mheta tha se partia aktuale në pushtet - Kongresi Kombëtar Afrikan (ANC), të cilin Mandela e drejtonte dikur - duket se po largohet nga pritshmëritë e ikonës me një ritëm të lartë. Anëtarët kryesorë të ANC-së në pushtet janë akuzuar për korrupsion, kurse disave prej tyre u është kërkuar të japin dorëheqje.
Varfëria, papunësia
Duke folur për AA, Iqbal Jassat, një anëtar ekzekutiv i Rrjetit të Rishikimit të Mediave, tha se "Afrika e Jugut sot është e kapluar nga frika nga kriminelët që janë të shfrenuar, duke krijuar perceptime për dështimin e Kongresit Kombëtar Afrikan për të qeverisur".
Jassat tha se kjo është e ndërlikuar nga nivelet tronditëse të varfërisë, papunësisë, të pastrehëve dhe një mori padrejtësish sociale.
Ai tha se nëse Dita e Mandelës nuk rilidhet me idealet e tij të luftës për liri, Afrika e Jugut do të dështojë në nderimin e trashëgimisë së tij.
"Fatkeqësisht, Dita e Mandelës është përvetësuar nga shumë për arsye të ndryshme, duke përfshirë edhe reklamat. Mjerisht, ajo pasqyron largimin nga trashëgimia e madhe e luftës e Mandelës", u shpreh Jassat.