Diyar Güldoğan
16 Nëntor 2023•Përditësim: 16 Nëntor 2023
Menjëherë pas bisedimeve ballë për ballë me homologun e tij kinez, presidenti amerikan Joe Biden tha se ende e konsideron Xi Jinping një "diktator", raporton Anadolu.
"Pra, shikoni, ai është. Dua të them se ai është një diktator në kuptimin që këtu është personi që drejton vendin e tij, e që është një vend komunist i bazuar në një formë qeverisjeje krejtësisht të ndryshme nga e jona", tha Biden në konferencë shtypi pas takimit me Xi.
Biden tha se zhvilloi bisedime "konstruktive dhe produktive" me Xi në San Francisco të Kalifornisë në margjinat e konferencës Azi-Paqësor, duke shtuar se beson se kanë bërë "disa përparim të rëndësishme".
Presidenti njoftoi se SHBA dhe Kina po rifillojnë bashkëpunimin kundër tregtisë së paligjshme të drogës, duke punuar për reduktimin e fluksit të kimikateve pararendëse dhe pilulave që nxisin krizën e fentanilit.
Biden gjithashtu e përshkroi si "jashtëzakonisht të rëndësishme" rifillimin e komunikimit ndër ushtarak, gjë që hap rrugën për komunikim të hapur midis institucioneve të mbrojtjes për të shmangur llogaritjet e gabuara nga secila palë dhe për të parandaluar konfliktin.
Presidenti njoftoi gjithashtu se Washingtoni dhe Pekini do të mbledhin ekspertët e tyre së bashku për të diskutuar mbi rreziqet e inteligjencës artificiale.
Duke iu referuar Tajvanit, Biden tha se ia ka potencuar presidentit kinez rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në ngushticën e Tajvanit dhe gjithashtu e bëri të qartë se ai nuk priste ndonjë ndërhyrje në zgjedhjet në Tajvan, të cilën Kina e sheh si territorin e saj, që do të mbahen në janar.
Biden tha gjithashtu se do të vazhdojë të ruajë dhe të ndjekë diplomacinë e nivelit të lartë me Kinën në muajt në vijim.
"Ne po flasim me konkurrentët tanë dhe thjesht po flasim, thjesht duke qenë të hapur me njëri-tjetrin, kështu që nuk ka asnjë keqkuptim, si një element kyç për ruajtjen e stabilitetit global dhe përfitimet për popullin amerikan", shtoi ai.