Dildar Baykan Atalay
15 Tetor 2021•Përditësim: 15 Tetor 2021
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se vaksinimi i detyrueshëm i punonjësve është dëshmuar efektiv dhe se numri i rasteve të përditshme të infeksionit në vend ka rënë me 47 për qind në gjashtë javët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke iu drejtuar shtypit për situatën e fundit në luftën kundër COVID-19, Biden kujtoi se ata njoftuan planet për vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit në fillim të shtatorit.
"Në gjashtë javët e fundit, numri i rasteve të përditshme me COVID-19 ka rënë me 47 për qind dhe numri i të shtruarve në spital ka rënë me 38 për qind", tha ai.
Biden theksoi se numri i rasteve të infektuara ka rënë në 39 shtete amerikane.
"Ne akoma kemi 66 milionë njerëz që nuk janë vaksinuar dhe kjo është e papranueshme. Numri i njerëzve të pavaksinuar ishte 100 milionë në korrik. E kemi zvogëluar këtë numër në 66 milionë por ende nuk e kemi përfunduar punën. Jemi në një periudhë kritike", tha presidenti amerikan.
Ai potencoi se prioritet i tij i parë në luftën kundër COVID-19 ka qenë vaksinimi i të gjithë qytetarëve.
"Zbatimi i vaksinimit të detyrueshëm po funksionon. Ministria e Punës së shpejti do të shpallë vendimin që kompanitë me më shumë se 100 punonjës të kryejnë vaksinimin e detyrueshëm", tha Biden.