Politikë, Bota

Biden: Kam lexuar dosjet e SHBA-së për vrasjen e Khashoggit

Raporti i paklasifikuar pritet të hedhë fajin drejtpërdrejt te Mohammed bin Salman

Michael Gabriel Hernandez   | 25.02.2021
Biden: Kam lexuar dosjet e SHBA-së për vrasjen e Khashoggit

Washington DC

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dje deklaroi se kishte lexuar vlerësimin e inteligjencës mbi fajësinë për vrasjen e kolumnistit të "Washington Post" Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raporti nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare pritet të dalë në një formë të paklasifikuar me pritjet se aty do të konstatohet se Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, sundimtari "de facto" i Mbretërisë, ishte drejtpërdrejt përgjegjës për vrasjen e Khashoggit.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump vazhdimisht ka kërkuar të mbrojë Bin Salman nga akuzat për një vrasje makabre dhe ka kundërshtuar ligjin e SHBA-së që kërkon publikimin e raporteve për ligjbërësit.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines u angazhua gjatë dëgjimit të saj të konfirmimit për ndjekjen e ligjit duke i siguruar Kongresit raportin.

Biden tha se së shpejti do të fliste me mbretin saudit, Salman por nuk caktoi një datë, ndërsa sipas raporteve thirrja mund të ndodhte dje.

Khashoggi u vra brutalisht në Konsullatën Saudite në Stamboll pak pasi hyri në objektin diplomatik më 2 tetor të vitit të kaluar. Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte një operacion jashtë kompetencave dhe dijenisë së qendrës.

Ky shpjegim është refuzuar gjerësisht nga OKB-ja dhe një grup i gjerë ligjvënësish të SHBA-së. CIA thuhet se konstatoi një muaj pasi Khashoggi u vra se Bin Salman urdhëroi drejtpërdrejt vrasjen e tij në një raport që mbetet i klasifikuar deri më sot.

CNN njoftoi më herët se dokumentet e paraqitura si pjesë e një procesi të palidhur gjyqësor në Kanada pretendojnë se dy avionët privatë të përdorur nga ekipi saudit i vrasjes ishin në pronësi të një kompanie që ishte konfiskuar nga Bin Salman.

Dokumentet "shumë sekrete" raportohet se theksojnë se Bin Salman urdhëroi që "Sky Prime Aviation" të futet në fondin e pasurisë sovrane të Arabisë Saudite në vitin 2017, një vit para se Khashoggi të vritej.

Bin Salman kontrollon fondin, i njohur zyrtarisht si Fondi i Investimeve Publike, si kryetar i tij.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.