Servet Günerigök
09 Qershor 2022•Përditësim: 10 Qershor 2022
Presidenti amerikan Joe Biden në hapjen e "Samitit të Amerikave" në Los Angeles, California, bëri thirrje për unitet midis vendeve të rajonit, pavarësisht mosmarrëveshjeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Teksa takohemi sërish sot, në një moment kur demokracia është nën sulm në mbarë botën, le të bashkohemi sërish dhe të ripërtërijmë bindjen tonë se demokracia nuk është vetëm tipari përcaktues i historive amerikane, por përbërësi thelbësor për të ardhmen e Amerikave", tha Biden.
Ai po fliste në ceremoninë e hapjes së samitit, i cili zgjat deri të premten. Në samitin e shteteve të Amerikës së Veriut dhe Amerikës së Jugut, mungojnë liderët e tre vendeve: Kubës, Venezuelës dhe Nikaraguas, të cilët u anashkaluar pasi administrata Biden vendosi të mos i ftojë.
Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador është një nga liderët që nuk po merr pjesë në samit, duke dërguar ministrin e Punëve të Jashtme në emër të tij.
"Rajoni ynë është i madh dhe me diversitet. Ne jo gjithmonë biem dakord për gjithçka, por për shkak se jemi demokraci, ne i tejkalojmë mosmarrëveshjet tona me respekt dhe dialog të ndërsjellë", tha Biden.
Ai tha se gjatë samitit, kombet e Amerikave kanë mundësinë të mblidhen rreth "disa ideve të guximshme, veprimeve ambicioze" dhe t'i tregojnë "popullit fuqinë e jashtëzakonshme të demokracive për të dhënë përfitime konkrete dhe për ta bërë jetën më të mirë për të gjithë".
Presidenti gjithashtu theksoi ndikimin e pandemisë COVID-19.
"Pandemia COVID-19 goditi veçanërisht rëndë rajonin tonë. Teksa ne përbëjmë vetëm 12 për qind të popullsisë globale, ne përjetuam më shumë se 40 për qind të vdekjeve të raportuara globale të lidhura me pandeminë", tha Biden, duke shtuar: "Është një tragjedi e madhe që ka lënë shumë familje të pikëlluara".
Presidenti amerikan gjithashtu tha se kriza ekonomike që pasoi pas pandemisë, shkatërroi ekonomitë në të gjithë hemisferën, duke fshirë shumë nga përparimet e fituara me vështirësi.
Migrimi
Presidenti amerikan foli edhe për çështjen e migracionit, duke thënë se migrimi i sigurt dhe i rregullt është "i mirë për të gjitha ekonomitë tona, përfshirë SHBA-në".
"Ai mund të jetë një katalizator për rritjen e qëndrueshme. Por migrimi i paligjshëm nuk është i pranueshëm. Dhe ne do të forcojmë kufijtë tanë, duke përfshirë një veprim novator e të koordinuar me partnerët tanë rajonalë," shtoi ai.