Ömer Tuğrul Çam
29 shtator 2021•Përditësim: 29 shtator 2021
Bashkimi Evropian (BE) edhe një herë bëri thirrje për dialog për zgjidhjen e krizës mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e përdorimit të targave të përkohshme, transmeton Anadolu Agency (AA).
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila qëndron për një vizitë zyrtare në Kosovë, në postimin në median sociale, theksoi se dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të zgjidhur situatën aktuale.
"Është e rëndësishme të përdoret dialogu për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. Bashkëpunimi është e vetmja rrugë përpara", shkroi ajo.
Ndërkohë, Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot është takuar me negociatorët nga Serbia dhe Kosova.
Lajçak në takimet e ndara njoftoi se kanë trajtuar mënyra për të zgjidhur krizën aktuale. Bisedimet do të vazhdojnë gjatë ditës.
Bllokimi i rrugëve për automjete, që çojnë në dy pika kufitare të Kosovës me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjak, po vazhdon nga 20 shtatori nga protestues serbë të cilët jetojnë në komuna me shumicë serbe në Kosovë, në shenjë proteste për vendimin për reciprocitet për targa të përkohshme, të vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Automjeteve me regjistrim të Serbisë nga 20 shtatori u lejohet hyrja dhe qarkullimi në territorin kosovar vetëm me targa të përkohshme të lëshuara në pikat kufitare apo në Qendra të Regjistrimit të Automjeteve në të gjithë Kosovën, afati i të cilave zgjat 60 ditë dhe kushtojnë 5 euro.
Marrëveshja 5-vjeçare e arritur në Bruksel më 14 shtator të vitit 2016 midis Kosovës dhe Serbisë për zgjatjen e vlefshmërisë së targave “KS” edhe për pesë vjet skadoi më 15 shtator. Në këtë mënyrë, Qeveria e Kosovës vendosi që të mos e zgjasë këtë marrëveshje, duke e pamundësuar futjen e automjeteve me targa "KS", e gjithashtu edhe me targa me shkurtesa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga autoritetet serbe në Kosovë.
Automjetet me targa me shkurtesa të qyteteve kosovare të lëshuara nga Serbia nuk kanë qenë të vlefshme në Kosovë nga vitit 2011 kur u nënshkrua në Bruksel marrëveshja për lirinë e lëvizjes midis dy vendeve fqinje, por ato u toleruan në pjesën veriore të vendit, ku është e fokusuar popullata serbe.
Gjatë kësaj fundjave, persona ende të paidentifikuar, i vënë zjarrin Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Komunën e Zubin Potokut, ndërsa kanë tentuar që t’i vënë zjarrin edhe qendrës së njëjtë në Zveçan, por bombat e dorës nuk kanë eksploduar.
Çështja e targave të përkohshme ka ngritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë, dy vendeve të cilat janë ende në një proces të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Serbia, po ashtu, gjatë fundjavës kreu manovra ushtarake pranë kufirit me Kosovën dhe aeroplanët ushtarakë gjithashtu fluturuan mbi zonën kufitare.