Hasan Esen
27 Shkurt 2017•Përditësim: 27 Shkurt 2017
BRUKSEL (AA) - Këshilli Evropian ka miratuar rregullimin që parasheh liberalizimin e vizave për shtetasit e Gjeorgjisë gjatë udhëtimit në zonën Schengen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Këshilli Evropian, shtetasit e Gjeorgjisë që posedojnë pasaporta biometrike do të jenë të liruar nga vizat gjatë udhëtimeve të tyre për qëllime biznesi, turizmi apo vizita familjare. Gjatë udhëtimeve mund të qëndrojnë vetëm 90 ditë në shtetin e destinuar.
Udhëtimi pa viza do të mundësohet në të njëjtën ditë kur të hyjë në fuqi edhe "mekanizmi frenues" i cili i jep të drejtë BE-së të pezullojë këtë praktikë në gjendje të nevojshme, konkretisht 20 ditë pas shpalljes së rregullimit në 'Gazetën Zyrtare' të BE-së.
Ndërkaq, Carmelo Abela, ministri i Punëve të Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare i Maltës, vend ky që aktualisht mban Presidencën me rrotacion të Këshillit Evropian, është shprehur se marrëveshja për liberalizimin e vizave do të afrojë edhe më tepër Gjeorgjinë dhe popujt e BE-së dhe do të forcojë turizmin dhe marrëdhëniet afariste mes dy vendeve.
Ndryshe, Gjeorgjia ka plotësuar kriteret e BE-së për liberalizim të vizave në dhjetor të vitit 2015. Ndërkaq, diskutimet ndërmjet institucioneve të BE-së për mekanizmin frenues kanë vonuar procesin.