Adel Ömeragiç,Lejla Bıogradlıja,Sanela Crnovrsanin
21 qershor 2017•Përditësim: 22 qershor 2017
PODGORICË/BEOGRAD (AA) - Bashkimi Evropian (BE) ka hapur për negocim nga 2 kapituj të rinj për vendet ballkanike, Malin e Zi dhe Serbinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën ndërqeveritare të mbajtur ditën e djeshme në Luksemburg, BE për Malin e Zi ka hapur kapitujt "Lëvizja e lirë e mallrave" dhe "Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore", ndërsa për Serbinë "Bashkimi doganor" dhe "E drejta e pronësisë intelektuale".
Në një deklaratë nga Kryesia e Çështjeve të Evropës të Malit të Zi në lidhje me çështjen, thuhet se është mbyllur përkohësisht kapitulli "Marrëdhëniet me jashtë". Gjithashtu në deklaratë thuhet se në kuadër të negociatave të pranimit Mali i Zi ka hapur 28 kapituj dhe ka mbyllur përkohësisht 3 prej tyre.
Jadranka Joksimovic, ministrja e Integrimit Evropian të Serbisë, duke rikujtuar se deri më sot janë hapur gjithsej 10 kapituj është shprehur se "Hapja e kapitujve është tregues se dyert e BE-së janë të hapura për Serbinë".
Duke tërhequr vëmendjen se çdo kapitull i hapur përfaqëson një fushë që ka treguar zhvillime të jetës shoqërore në Serbi, Joksimovic, tha se kjo është edhe në interes të shtetit, por edhe në interes të qytetarëve.
Ndërsa edhe drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian përgjegjës për politikën e zgjerimit dhe negociatat e Fqinjësisë, Christian Danielsson, ka theksuar se hapja e kapitujve të rinj është tregues i fortë i perspektivës së Serbisë në BE.
Mali i Zi i cili ka nisur negociatat e pranimit në vitin 2012 dhe Serbia që në 2014 konsiderohen si dy vendet e Ballkanit më afër procesit të anëtarësimit në BE.