Yusuf Hatip
14 mars 2019•Përditësim: 14 mars 2019
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, bëri të ditur se do të kërkojë nga liderët e shteteve anëtare të shtyhet "në një afat të gjatë" data e largimit të Britanisë (Brexit) nga Bashkimi Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë në median sociale, Tusk tha se gjatë Samitit të Liderëve të BE-së javën e ardhshme do të apelojë deri te vendet anëtare të shtyhet data e Brexit, e caktuar për më 29 mars, "në kohë të gjatë".
Tusk është shprehur se prolongimi në fjalë do të ndodhë nëse Britania e sheh si të nevojshëm për të "rimenduar strategjinë" e largimit.
Kreu i Këshillit po ashtu ka shprehur nevojën që Britania të arrijë një marrëveshje brenda vendit.
Ndryshe, Parlamenti i Britanisë, i cili më herët refuzoi marrëveshjen për Brexit të arritur me BE-në, dje gjithashtu kundërshtoi largimin pa marrëveshje. Gjatë ditës së sotme, parlamenti do të diskutojë dhe votojë shtyrjen e Brexitit.
Britania vendosi të largohet nga BE-ja pas referendumit të mbajtur më 23 qershor të vitit 2016.
Procesi dyvjetor i largimit filloi më 29 mars të vitit 2017, ndërsa sipas kalendarit normal, vendi duhet të ndahet zyrtarisht nga unioni më 29 mars të këtij viti.