Ekip
18 Janar 2019•Përditësim: 18 Janar 2019
DHAKA (AA) - Mbi 800 refugjatë Rohingya që jetojnë në kampet e improvizuara në Cox’s Bazar të Bangladeshit nga dhjetori i kaluar janë të infektuar me sëmundjen ngjitëse lija e dhenve, por banorët e kampeve presin që shifra të kalojë mbi një mijë të prekur nga kjo sëmundje, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri të ditur se që nga 13 janari, 832 refugjatë Rphingya që jetojnë në kampe janë konfirmuar me këtë sëmundje.
“Duke iu përgjigjur një shpërthimi të sëmundjes lija e dhenve në kampet e refugjatëve Rohingya, partnerët e sektorit të shëndetësisë, të udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë e Bangladeshit dhe OBSH-ja kanë rritur mbikëqyrjen dhe po ndërmarrin masa”, thekoi OBSH.
Megjithatë refugjatët Rohingya që jetojnë në kampe presin që numri të rritet më shumë.
34-vjeçari Ansar Ali, i cili u zgjodh nga qeveria e Bangladeshit për të ndihmuar në mbajtjen e rendit dhe ligjit në kampin e tij, tha për AA se nga sëmundja po preken kryesisht gratë dhe fëmijët.
60-vjeçarja Nasima Khatun, një refugjate Rohingya nga i njëjti kamp, tha se në kamp ka mushkonja të mëdha, insekte të tjera, si dhe minj, ndërsa shumë refugjatë vuajnë nga sëmundje të ndryshme.
Ndërkaq, 75-vjeçari Ali Ahmad u shpreh se “Sëmundjet janë shoqëria jonë e vazhdueshme. Ne nuk i njohim emrat e të gjitha sëmundjeve. Ne vetëm marrim ilaçet në dispozicion që na shërbejnë”.
Që prej 25 gushtit të vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit, sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit të Ontarios (OIDA).
Më shumë se 34 mijë mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.