Mustafa Deveci
03 Shtator 2020•Përditësim: 03 Shtator 2020
Pas Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) pretendohet se edhe vendi i Gjirit, Bahreini do të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e institucionit transmetues publik të Izraelit KAN, pretendohet se edhe Bahreini do të njohë Izraelin pas marrëveshjes së arritur për normalizimin e marrëdhënieve mes Tel Avivit dhe Abu Dabit.
Po ashtu në lajmin i cili bazohet mbi një zyrtar izraelit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, thuhet se marrëveshja mes EBA-së dhe Izraelit pritet të nënshkruhet në mesin e këtij muaji në Washington.
Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo muajin e kaluar vizitoi Bahreinin gjatë turneut në Lindjen e Mesme që ai zhvilloi për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe vendeve arabe.
Në lajmet e shtypit ndërkombëtar ishte bërë e ditur se Pompeo ka refuzuar në mënyrë të mbuluar propozimin e zyrtarëve të Bahreinit të cilët kishin vendosur kushtin për krijimin e shtetit të Palestinës për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.