Mahmoud Barakat
19 Dhjetor 2017•Përditësim: 19 Dhjetor 2017
BAGDAD (AA) – Ministria irakiane e Mbrojtjes ka mohuar pretendimet e agjencisë kryesore të sigurisë së Qeverisë Rajonale Kurde (KRG) se forcat federale po marshonin për të pushtuar pjesë të Irakut të veriut të mbajtura nga luftëtarët Peshmerga, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia kryesore e sigurisë e KRG-së, Asayish, ka pretenduar se forcat federale po grumbulloheshin në rajon për një një sulmi në zonat e mbajtura nga forcat Peshmerga, të cilat janë të lidhur me bazën e KRG-së në Erbil.
“Informacioni i mbledhur gjatë pesë ditëve të fundit ka treguar se forcat irakiane, përfshirë Policinë Federale dhe luftëtarët Hashd al-Shaabi, janë të gatshëm për të pushtuar rrugën strategjike Al-Kuwayr-Dibis-Digabah”, shkroi Asayish në rrjetet sociale.
Agjencia e sigurisë e KRG-së, më tej vazhdoi të nxiste Bagdadin t’i përmbahet kryerjes së çfarëdo “veprimi provokues”.
Mirëpo, Yahia Rasoul, zëdhënës i komandës së forcave të bashkuara të ushtrisë irakiane, për AA tha se nuk ka pasur “asnjë lëvizje nga ushtria federale ndaj pozicioneve Peshmerga” në Irakun e veriut. Rasoul pohoi se forcat nuk janë shpërndarë, duke shtuar se pretendimet e agjencisë Asayish për një sulm të tillë janë “të pasakta”.
Në mesin e muajit tetor, pas votimit të paligjshëm të KRG-së mbi pavarësinë rajonale, forcat qeveritare lëvizën në disa pjesë të Irakut “të kontestuara” midis qyteteve Bagdad dhe Erbil, duke përfshirë krahinën e pasur me naftë, Kirkuk.