Arif Yusuf,Safiye Karabacak
03 Tetor 2019•Përditësim: 03 Tetor 2019
Në Zonën e mbrojtur të Gjelbër në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, ku gjenden edhe ndërtesat qeveritare ka ndodhur një shpërthim, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, shpërthimi ka ndodhur pasi Zona e Gjelbër është shënjestruar me dy raketa. Deri më tani nuk ka raportime për viktima ose dëme.
Ndërkohë zëdhënësi i forcave të koalicionit nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Koloneli Myles Caggins, në deklaratën me shkrim konfirmoi shpërthimin në Zonën e Gjelbër. Ai shtoi se objektet e koalicionit nuk kanë pësuar dëm nga shpërthimi.
Autoritetet irakiane ende nuk kanë bërë ndonjë deklaratë në lidhje me shpërthimin.
Sot, në mëngjes në kryeqytetin Bagdad ishte shpallur orë policore gjithëpërfshirëse për shkak të protestave anti-qeveritare.
Në protestat anti-qeveritare që mbahen që nga 1 tetori në Irak kanë humbur jetën 12 persona.