Ruslan Rehimov
20 Janar 2018•Përditësim: 21 Janar 2018
BAKU (AA) - Në mbarë Azerbajxhanin këto ditë shënohet 28 vjetori i masakrës, që njihet si "Janari i përgjakshëm", raporton Anadolu Agency (AA).
Atë ditë, pikërisht më 20 janar, qindra mijëra azerbajxhanas u mblodhën në sheshin "Azadlik" në Baku në shenjë proteste kundër qeverisë sovjetike, pro-ruse. Në ndërhyrjen e ushtrisë sovjetike me qëllim të ndalimit të protestës në Baku u vranë 150 civilë në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë, dhe u plagosën rreth 750 njerëz.
Kryetari i Institutit të studimeve të Kaukazit në Akademinë e Shkencave të Azerbajxhanit, Musa Gasim, me rastin e 28-vjetorit të "Janarit të përgjakshëm" në një intervistë për AA tha se "Janari i përgjakshëm" në të njëjtën kohë dhe krim i kryer nga Bashkimi Sovjetik ndaj Azerbajxhanit, si dhe faqe e heroizmit të cilin e ka shkruar populli i Azerbajxhanit.
"Dëshmorët e Azerbajxhanit me gjakun e tyre hodhën ideologjinë komuniste në mbeturinat e historisë. Ushtria dhe shërbimet e inteligjencës humbën besimin pasi hapën zjarr në drejtim të popullit", tha Gasimli.
Historiani azer, Ramin Sadikov konsideron se ngjarjet e 20 janarit kanë një rol të rëndësishmëm në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, por edhe në rrugëtimin për pavarësinë e Azerbajxhanit.
Sadikov beson se politika e atëhershme e liderit të Bashkimit Sovjetik Mihail Gorbaçov, e quajtur "perestrojka" dhe gabimet e bëra, shkaktuan probleme etnike në këtë vend.
Ai theksoi se armenët që jetonin në territorin e Malësisë së Karabakut, në territorin e Azerbajxhanit, kërkuan që kjo pjesë të bashkohet me Armeninë. Pasi Parlamenti armen, më 9 janar 1990 miratoi vendimin, sipas të cilit çonte që rajoni të bashkohej me Armeninë, qindra e mijëra azerbajxhanas dolën në rrugë. Pas kësaj, Bashkimi Sovjetik tentoi të vë situatën nën kontroll, por ndodhën trazira.
"Ushtria sovjetike hyri në Baku nga pesë anët. Tanke dhe automjete të blinduara lëviznin drejt qytetit, duke shkelur makinat dhe duke hapur zjarr ndaj civilëve. Ata nuk ngurruan të shtypnin edhe autoambulancat", tha Sadikov, duke shtuar se askush nuk u kursye nga zjarri, nga njerëzit në transportin urban, deri tek gratë që shtrinin rrobat në ballkonet e shtëpive të tyre, por as edhe mjekët të cilët u jepnin ndihmë të plagosurve.
Fotografitë e regjistruara në këtë periudhë, tregojnë më së miri për egërsinë e bërë të ushtrisë sovjetike, duke mos bërë përjashtime ndaj grave, fëmijëve apo të moshuarve.
Shumë azerbajxhanas këtyre ditëve vendosin karafilë të kuq në varrezat e të vrarëve, të cilët gjithashtu përfaqësojnë viktimat e 20 janarit. Varrezat ushtarake në Baku u bënë simbol i pavarësisë së Azerbajxhanit, i cili u shpall më 30 gusht të vitit 1990.