Riyaz Khaliq
19 Gusht 2020•Përditësim: 19 Gusht 2020
Ushtria tajvaneze ka mohuar se një aeroplan spiunazhi që i përket SHBA-ve ka ateruar në shtetin ishull, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Taiwan News, disa vëzhgues të aviacionit zbuluan një aeroplan vëzhgues ushtarak amerikan të zbriste dje në kryeqytetin Taipei.
Megjithatë, zyrtarët ushtarakë tajvanezë mohuan raportimet, duke u bërë thirrje njerëzve që të "përmbahen nga përhapja e thashethemeve".
Ngushtica e Tajvanit zakonisht dëshmon aktivitete të shtuara ushtarake për shkak të marrëdhënieve të acaruara midis SHBA-ve dhe Kinës.
Vrojtuesi i aeroplanit Golf9 raportoi dje se avionët elektronikë luftarak dhe të zbulimit të marinës së SHBA-ve Lockheed EP-3E ARIES II me numrin e regjistrimit 157318 "duket se po fluturonin mbi Tajvanin verior".
"Çuditërisht, dukej sikur po ngrihej nga aeroporti në Taipei dhe po shkonte drejt Detit të Kinës Lindore", thuhet në raport, duke shtuar se avioni "kishte dyfishuar fluturimet mbi Tajvan dhe po shkonte drejt jugut përmes brendësisë së vendit".
Kjo ishte hera e dytë që nga e premtja e kaluar që i njëjti aeroplan u zbulua mbi Tajvanin verior.
Ndërkohë, shkatërruesi raketor i SHBA-ve kaloi nëpër ngushticën e Tajvanit të martën pas stërvitjeve ushtarake me Forcat e Vetëmbrojtëse Detare Japoneze.
"Shkatërruesi i raketave, USS Mustin (DDG 89) kreu një transit rutinor në ngushticën e Tajvanit më 18 gusht, në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Kalimi i anijes përmes ngushticës së Tajvanit tregon angazhimin e SHBA-së për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur. Marina e SHBA-ve do të vazhdojë të fluturojë, lundrojë dhe të veprojë kudo që lejon ligji ndërkombëtar", thuhet në deklaratën e Flotës së 7-të të SHBA-së e cila vepron në Detin e Kinës së Jugut.
Në përgjigje të veprimtarisë ushtarake amerikane në ngushticën e Tajvanit, ushtria kineze tha se Komanda e saj Lindore "dërgoi forca detare dhe ajrore për të ndjekur dhe monitoruar të gjithë rrjedhën e shkatërruesit USS Mustin".