Burak Karacaoğlu,Eşref Musa,Levent Tok
14 Mars 2019•Përditësim: 15 Mars 2019
Të burgosurit për të cilët mësohet se një pjesë e tyre ishin pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH, janë arratisur nga burgu në qytetin Idlib të Sirisë pasi është goditur nga një avion për të cilin thuhet se i përkiste Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burime të sigurta, bëhet e ditur se një pjesë e burgut në qendër të Idlibit është dëmtuar në sulmin ajror rus të ndërmarrë mbrëmë.
Pas sulmit bëhet e ditur se janë arratisur një numër i madh personash të cilët ndodheshin në burg për krime si vjedhje, rrëmbim si dhe pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH.
Pjesëtarët e DEASH-it që ndodheshin në burg ishin arrestuar gjatë bastisjeve nëpër "shtëpitë celula" dhe mbaheshin përgjegjës për një numër të madh të shpërthimeve të ndodhura në të gjithë qytetin.
Opozitarët ushtarakë dhe grupet e armatosura kundër regjimit në Idlib, kanë nisur operacion për kapjen e të arratisurve si dhe kanë rritur masat e kontrollit të sigurisë në pikat që ndodhen në Idlib.
Ndërkohë theksohet se disa nga të burgosurit janë kapur me ndihmën e civilëve.
Observatori i opozitarëve për avionët, mbrëmë ndau informacionin se "avionët luftarakë rusë të tipit SU 34 që u ngritën nga baza ajrore ushtarake Himejmim, po zhvillojnë sulme në të gjithë Idlibin".