Mustafa Deveci
18 Shtator 2022•Përditësim: 19 Shtator 2022
Një ekip i Anadolu Agency (AA) ka filmuar pamje nga qyteti Kupiansk i Ukrainës, të cilin Kievi e riktheu nga forcat ruse.
Edhe pse Kupiansk në rajonin të Kharkivit është nën kontrollin e Ukrainës, jeta në qytet nuk është kthyer ende në normalitet për shkak të afërsisë së tij me vijën e frontit.
Ushtria ukrainase ka rimarrë më shumë se 300 vendbanime nga forcat ruse në rajonin e Kharkivit në një kundërofensivë që filloi këtë muaj.

Kupiansk, një nga pikat e kryqëzimit të rrjetit hekurudhor në rajon, ku kalon edhe lumi Oskil, është një zonë e rimarrë nga forcat ruse në kundërsulmin e Ukrainës.
Gjurmët e luftës, duke përfshirë automjetet e djegura ushtarake, mund të shihen në rrugët që çojnë në Kupiansk, që ndodhet në juglindje të Kharkivit.

Shenja Kupiansk, e vendosur në një rajon afër qytetit dhe e pikturuar me ngjyrat e flamurit rus, u çmontua nga forcat ukrainase pasi rajoni u rimor.
Veçanërisht në qendër të qytetit, ndërtesat janë shkatërruar ose dëmtuar rëndë.

Të gjitha dyqanet aktualisht janë të mbyllura, me shumë pak njerëz që enden rrugëve, ndërsa zhurmat e granatimeve jehojnë nëpër rrugë.
Ata që duan të largohen nga qyteti për shkak të afërsisë me vijën e frontit, janë duke u evakuuar nga organizatat ukrainase humanitare.

Pamjet nga AA tregojnë panikun e përjetuar nga ata që duan të largohen nga qyteti dhe ekipet e evakuimit mes tingujve të armëve.
Të evakuuarit kthehen në vendbanimin Shevchenkove në rajonin e Kharkivit, i cili iu rimor forcave ruse, por që konsiderohet më i sigurt se Kupiansku.

Duke folur për AA për eksperiencën e saj të evakuimit, 72-vjeçarja Katerina Kozer tha: “Ka nëntë ditë që nuk ka ujë e rrymë, që nga e premtja e kaluar. Nuk kishte as gaz, as rrymë, as ujë. Rrinim ashtu. Nuk kishim asgjë. Kemi qëndruar kështu në strehë, ka pasur të shtëna çdo ditë”.
“Ne nuk mund të shkonim askund, por disi mbijetuam. Falë Zotit mbijetuam”, shtoi Kozer.