Ekip
30 Nëntor 2016•Përditësim: 30 Nëntor 2016
MELBURN (AA) - Parlamenti i Australisë të mërkurën pasdite pati një ndërprerje, kur aktivistët e refugjatëve filluan të brohorasin nga galeria publike, të cilët u larguan me forcë, raporton Anadolu Agency (AA).
Skena kaotike ndodhi kur policia dhe punonjësit e sigurisë i tërhoqën zvarrë rreth 50 njerëz nga salla e parlamentit, kurse kryetari i Dhomës, Tony Smith, mori një vendim të pazakontë duke shtyrë procedurat parlamentare për 40 minuta, deri në pastrimin e sallës.
Smith e përshkroi incidentin si "skena të jashtëzakonshme" që "kërcënojnë dinjitetin e parlamentit".
ABC raportoi se disa protestues kishin ngjitur me super-ngjitës duart e tyre me parmakët e galerisë publike.
Aktivistët brohorisnin "mbyllni kampet" dhe "sillni ata këtu", duke shprehur kundërshtim e tyre ndaj politikave të vendit ndaj emigracionit, me ç'rast azilkërkuesit që udhëtojnë me anije "të paligjshme", ndalohen në ishujt e Paqësorit Nauru dhe Manus duke i pamundësuar ata që të hyjnë në Australi.
"Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme. Kjo është krizë humanitare. Ju të gjithë jeni bashkëfajtorë", thërriste një protestues në sallë.
Sipas ABC-së aktivistët nga "Whistleblowers Activists and Citizens Alliance" kanë marrë përgjegjësinë për protestën.
Përmes një deklarate, zëdhënësi tha se protestuesit erdhën tek parlamenti për t'i thënë qeverisë që të "ndalë çmendurinë" dhe të mbyllë qendrat e pranimit të azilkërkuesve në Nauru dhe Manus.
Ministri i Emigracionit Peter Dutton, duke folur në radion 2GB të mërkurën pasdite, i ka quajtur protestuesit "idiotë".
"Të Gjelbrit kanë për t'u penduar shumë", deklaroi ai, duke iu referuar partisë politike, udhëheqësit e së cilës kanë përshëndetur protestuesit pas ngjarjes.
"Mesazhi i kësaj qeverie është shumë i qartë në lidhje me anijet, ne nuk do të lejojmë vendosjen e njerëzve që vijnë në vendin tonë me anije".
Policia përmes një deklarate njoftoi se një numër njerëzish janë marrë në bisedë në lidhje me incidentin, por nuk është ngritur asnjë akuzë.