Aktivistë pro Palestinës protestojnë jashtë turneut të tenisit Wimbledon në Londër
- Protestuesit u mblodhën pranë Fushës Qendrore në përgjigje të një thirrjeje nga Fushata e Solidaritetit Palestinez, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj sponsorizimit të turneut vjetor të tenisit nga Barclays

Londër
LONDËR (AA) - Aktivistë pro Palestinës mbajtën sot një demonstratë jashtë Kampionatit të Wimbledonit për të protestuar kundër sponsorizimit të turneut vjetor të tenisit nga Barclays, raporton Anadolu.
Dhjetëra protestues u mblodhën pranë Fushës Qendrore në përgjigje të një thirrjeje nga Fushata e Solidaritetit Palestinez, grupi më i madh i avokimit propalestinez në Evropë.
Në protestë morën pjesë edhe organizata të tjera, duke Fushatën e Luftës Kundër Tregtisë së Armëve, të gjitha duke bërë thirrje për “bojkotimin e Barclays”.
Kampionati i 138-të i Wimbledonit zhvillohet nga 30 qershori deri më 13 korrik.
Sipas Fushatës së Solidaritetit Palestinez, Barclays, bankë universale shumëkombëshe britanike me seli në Londër, “ofron miliarda në investime dhe kredi për kompanitë që armatosin Izraelin dhe vepron si tregtar kryesor i obligacioneve qeveritare të Izraelit”.
“Barclays, nuk mund të fshihesh; ne të akuzojmë për gjenocid” ishte ndër sloganet e brohoritura nga turma në protestë.
Banka është përballur me reagime të ashpra për lidhjet e saj të dyshuara me kompanitë e mbrojtjes që prodhojnë pajisje të përdorura nga ushtria izraelite.
Duke mbajtur flamuj palestinezë, demonstruesit dënuan sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza dhe i bënë thirrje qeverisë britanike të “ndalojë armatosjen e Izraelit”.
Grupi mbante po ashtu pankarta që kritikonin turneun për sponsorizimin, duke vendosur në tokë topa tenisi që ishin lyer pjesërisht me të kuqe – për të simbolizuar gjakderdhjen.
Demonstrata përfshinte gjithashtu një maket të një makine – të mbushur me vrima – për të përfaqësuar automjetin që mbante pesëvjeçaren Hind Rajab, e cila u vra nga forcat izraelite në Gaza në janar 2024.
- Qeveria “plotësisht bashkëfajtore” në gjenocid
Duke folur për Anadolu, Damian McCarthy, protestues dhe avokat në Londër, tha se është kundër gjenocidit të Izraelit kundër popullit palestinez.
“Barclays Bank investon në Wimbledon dhe Barclays është bashkëpunëtore në gjenocid”, tha ai, duke shtuar se kjo është arsyeja pse ata po i inkurajojnë njerëzit të bojkotojnë Barclays. Ai tha se thirrja “po funskionon”.
Duke thënë se banka “investoi në aparteidin e Afrikës së Jugut dhe u detyrua të tërhiqej për shkak të bojkotit të konsumatorëve”, McCarthy shpjegoi se po “bëjnë të njëjtën gjë edhe këtu”.
Duke kritikuar politikën e qeverisë britanike mbi konfliktin Izrael-Palestinë, ai e akuzoi atë si “plotësisht bashkëfajtore” në gjenocid.
Duke shpjeguar se ka punuar me kryeministrin Keir Starmer vite më parë kur ai ishte avokat, McCarthy tha se tani kryeministri është kreu i një qeverie “që është bashkëfajtore në gjenocid”.
Në përgjigje të kritikave dhe akuzave, Barclays ka deklaruar më parë se “njeh vuajtjet e thella njerëzore të shkaktuara nga ky konflikt”.
Sipas faqes së saj të internetit, banka ka thënë se është përgjegjësi e qeverive përkatëse të përcaktojnë politikën e jashtme dhe ligjet që kufizojnë shpërndarjen e armëve në çdo vend të vetëm.
“Ne kemi vënë re shqetësimin e qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së në lidhje me vdekjet e civilëve dhe shënjestrimin e punonjësve të ndihmës, dhe do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër zhvillimet”, thuhet më tej.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.