Ekip
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Kompania ajrore franceze Air France ka pezulluar fluturimet mbi hapësirën ajrore irakiane dhe iraniane, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky njoftim vjen në vazhdën e sulmeve me raketa balistike të Iranit në të paktën dy baza irakiane ku janë vendosur trupat amerikane.
Frika e veprimit të mëtutjeshëm ushtarak në Lindjen e Mesme dhe shqetësimet në rritje për luftë shkaktuan ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve ajrore në të dy vendet.
"Planet e fluturimit rregullohen në kohë reale sipas vendimeve të autoriteteve franceze dhe rajonale, në të gjithë botën, në mënyrë që të sigurojnë nivelin më të lartë të sigurisë së fluturimit", tha Air France në një deklaratë.
Në orët e hershme të së mërkurës, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) shkrepi dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe forcave të koalicionit në Irak.
Veprimet e Iranit ishin në shenjë hakmarrjeje për sulmin me dron të Shteteve të Bashkuara që vrau komandantin e lartë iranian Qasem Soleimani.
Singapori Airlines tashmë kishte devijuar fluturimet nga hapësira ajrore iraniane. Administrata Federale e Aviacionit të SHBA-së gjithashtu njoftoi se do t'i ndalojë kompanitë ajrore të kryejnë fluturime në rajon mbi Irakun, Iranin, Gjirin Persik dhe Gjirin e Omanit.