Ekip
08 maj 2019•Përditësim: 08 maj 2019
Qytetarët e Afrikës së Jugut mëngjesin e sotëm kanë filluar të votojnë në zgjedhjet e gjashta të përgjithshme në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Qendrat e votimit u hapën në ora 7 paradite dhe do të mbyllen në orën 9 pasdite.
“Kam votuar sepse dua të shoh ndryshime dhe një jetë më të mirë për të gjithë afrikano-jugorët”, tha një votues i moshuar për AA, pasi votoi në qytezën Soweto në jug të Johannesburgut, qytetit më të madh të vendit.
Sipas Komisionit Zgjedhor, rreth 26.7 milionë afrikano-jugorë kanë të drejtë të votojnë në zgjedhjet e këtij viti, kur kombi shënon 25 vjetorin e zgjedhjeve të para demokratike.
Në mbarë vendin janë të hapura rreth 22 mijë vendvotime, ku votuesit do të hedhin votat e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e kuvendeve kombëtare dhe provinciale.
Mmusi Maimane, kreu i opozitës më të madhe, Aleancës Demokratike, votoi në Dobsonville të qytezës Soweto.
Një rekord prej 48 subjekteve politike marrin pjesë në këto zgjedhje, por gara kryesore pritet të jetë midis tre subjekteve, Kongresit Kombëtar Afrikan në pushtet, Aleancës Demokratike dhe Luftëtarëve të Lirisë Ekonomike.
Kreu i Kongresit Kombëtar Afrikan dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, pritet të votojë rreth orës 11:00 në Soweto.
Sipas Komisionit Zgjedhor, numërimi i votave do të fillojë pas orës 9 pasdite.
Çështjet kryesore që prekin afrikano-jugorët, ndër të tjera janë edhe papunësia, krimet dhe korrupsioni.