Sayed Khodaiberdi Sadat
22 Nëntor 2021•Përditësim: 22 Nëntor 2021
Qeveria e talebanëve në Afganistan vendosi disa kufizime kundrejt paraqitjes së grave në televizione, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Ministria talebane për Ftesë në Mirësi dhe Shmangie nga e Keqja, thuhet se të gjitha kanaleve televizive në vend u janë dërguar rregullat e reja që duhet të zbatojnë.
Në deklaratë theksohet se sipas rregullave të reja prezantueset femra në kanalet televizive duhet të respektojnë hixhabin islam.
Rregullat e reja duhet të zbatohen, thuhet në deklaratën në cilën kërkohet që të mos publikohen skenat e serialeve dhe të teatrit ku janë të përfshira aktoret femra si dhe të gjitha filmat dhe serialet që janë në kundërshtim me parimet islame dhe ligjet afgane.
Po ashtu thuhet se nga transmetimi duhet të hiqen edhe programet që përfshijnë ofendime ndaj individëve.
Teksa theksohet se është e ndaluar të publikohen dramat dhe serialet ku janë të përfshirë role të pejgamberëve dhe shokëve të tyre (sahabët), pretendohet se ende disa televizione në vend publikojnë programe në kundërshtim me parimet islame dhe traditën afgane.
Talebanët në vitet 1990 kur ndodheshin në pushtet kishin ndaluar plotësisht transmetimet e televizioneve në Afganistan.
Në 20 vitet e fundit në mbarë vendin filluan transmetimet mbi 300 televizione, radio dhe gazeta.
Në anën tjetër, sipas Shoqatës së Gazetarëve të Lirë të Afganistanit, rreth 200 organizata të shtypit kanë ndërprerë aktivitetet e tyre për shkak të kufizimeve dhe problemeve financiare pasi talebanët vendosën kontrollin e tyre në Kabul më 15 gusht.
Para se talebanët të merrnin kontrollin e vendit, mbi 30 për qind e punonjësve nëpër media e përbënin femrat, ndërsa tani vazhdojnë punën vetëm disa gazetare.
Dhjetëra punonjës të mediave u larguan nga vendi pasi talebanët vendosën dominimin e tyre në vend.