Adam Abu-bashal
06 Dhjetor 2021•Përditësim: 07 Dhjetor 2021
Presidenti aktual i Gambisë dhe kreu i Partisë Popullore Kombëtare (NPP) Adama Barrow u rizgjodh president i vendit në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 4 dhjetor, të mbajtura për herë të parë pas 27 vitesh pa praninë e ish-presidentit të mërguar Yahya Jammeh, transmeton Anadolu Agency (AA).
Barrow fitoi me 457.519 vota, ose 53 për qind, sipas Komisionit të Pavarur Zgjedhor. Rivali kryesor i Barrow në garën presidenciale, Ousainou Darboe, kreu i Partisë Demokratike të Bashkuar (UDP) nga opozita, ka siguruar 238.253 vota.
Barrow, i cili kishte shërbyer si lider i koalicionit, për herë të parë u zgjodh në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016, kur mposhti ish-presidentin Jammeh, edhe pse nuk ishte një emër shumë i shquar.
- Yahya Jammeh udhëhoqi vendin për 22 vjet
Në zgjedhjet presidenciale të Gambisë garuan gjashtë kandidatë.
Ndryshe, Jammeh kishte udhëhequr vendin për 22 vite pas marrjes së pushtetit nëpërmjet një puçi ushtarak më 22 korrik të vitit 1994.
Yahya Jammeh u akuzua për shkelje të ndryshme të të drejtave, si "torturë, përdhunim dhe ekzekutim" gjatë sundimit të tij dhe humbi ndaj rivalit të tij Adama Barrow në zgjedhjet presidenciale më 1 dhjetor 2016.
Duke mos i pranuar rezultatet, Jammeh hodhi poshtë thirrjet që të largohej nga pushteti.
Edhe pse duhej ta dorëzonte detyrën më 19 janar 2017, dy ditë më herët, më 17 janar, ai shpalli gjendje të jashtëzakonshme 90-ditore. Megjithatë, pas presioneve, ai u detyrua të largohet nga vendi më 21 janar, duke shkuar në Guinenë Ekuatoriale.
Më parë ai ka njoftuar se do të kthehet në vend në muajin maj.