Emre Aytekin
05 Dhjetor 2016•Përditësim: 06 Dhjetor 2016
TOKIO (AA) – Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe njoftoi se në fund të dhjetorit, së bashku me presidentin amerikan, Barack Obama, do të vizitojnë portin Pearl Harbor, raporton Anadolu Agency (AA).
Shefi i qeverisë japoneze, Abe deklaroi se takimi i fundit bilateral me Obamën, para largimit të tij nga posti i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), do të mbahet në bazën ushtarake Pearl Harbor në Hawaii.
"Tragjedia e luftës, kurrë nuk duhet të përsëritet", tha Abe, duke shtuar se ai dëshironte të vizitojë Pearl Harbor për të dërguar një mesazh të afrimit të Japonisë dhe SHBA-ve.
Forcat ajrore japoneze më 7 dhjetor 1941, kryen një sulm ndaj marinës amerikane në Pearl Harbor, pas së cilës SHBA-të u përfshinë në Luftën e Dytë Botërore.
Abe do të bëhet kështu kryeministri i parë japonez i cili gjatë mandatit ka vizituar Pearl Harbour, dhe kjo do ishte një lloj përgjigjeje në vizitën e fundit të Obamës në Japoni, në mandatin e të cilit ai u bë presidenti i parë amerikan që vizitoi Hiroshimën ku SHBA-të hodhën bombën atomike në Luftën e Dytë Botërore.