Talha Yavuz
22 Janar 2022•Përditësim: 23 Janar 2022
Anadolu Agency (AA) ka filmuar ushtarët e Forcave të Armatosura të Ukrainës në frontin Stanytsia Luhanska që ndodhet në rajonin Donbas në lindje të Ukrainës.
Fronti në afërsi të zonës Stanytsia Luhanska i cili është skenë e konfliktit mes ushtrisë së Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë ndodhet në rajonin Lugansk të Donbasit.
Si pasojë e goditjeve me mortaja nga separatistët por-rusë rreth dy muaj më parë, shtëpitë në një fshat pranë kësaj zone u dëmtuan dhe banorët e zonës u larguan.
Teksa brenda ditës në front nuk vërehet ndonjë konflikt, ushtarët ukrainas të Brigadës së 79-të sulmuese ajrore kryejnë patrullimet e rregullta dhe vëzhgojnë rajonin me dylbi.

Në një periudhë kur tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë rritur, sytë janë kthyer nga veprimet në vijën e frontit dhe kufirin mes dy vendeve që ndodhet në mesin e zonës nën kontrollin e separatistëve pro-rusë dhe ushtrisë ukrainase.
Veprimet ushtarake në vijën e frontit dhe përgjatë kufirit ndiqen me kujdes nga e gjithë bota ndërkohë që vazhdojnë edhe iniciativat diplomatike në mënyrë që tensionet të mos shndërrohen në luftë.

Kriza në Donbas
Në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, më 21 nëntor të vitit 2013 filluan protestat pasi presidenti i atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukoviç, nuk nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian (BE).
Pasi Yanukoviç u largua nga vendi në shkurt të vitit 2014 pas rritjes së protestave, separatistët pro-rusë në qytetet Donetsk dhe Lugansk të rajonit Donbas në lindje të vendit shpallën të ashtuquajturën pavarësinë e tyre.
Në konfliktin që vazhdon nga viti 2014 mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve pro-rusë kanë humbur jetën mbi 13 mijë persona.
