BALLKANI

Zaev takon Ramën dhe Vuçiçin në Ohër

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo Deklaratë me një listë të prioriteteve dhe masave vjen pas takimit të tyre të mëparshëm të përbashkët në Novi Sad

Admir Fazlagikj  | 10.11.2019 - Përdıtësım : 10.11.2019
Zaev takon Ramën dhe Vuçiçin në Ohër

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, zhvilluan një takim trepalësh në Ohër në prag të takimit të nesërm të liderëve të Ballkanit Perëndimor në të cilin diskutuan dhe konfirmuan Deklaratën me listën e prioriteteve dhe masave për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kjo Deklaratë me një listë të prioriteteve dhe masave vjen pas takimit të tyre të mëparshëm të përbashkët në Novi Sad.

"Baza e Deklaratës është bashkëpunimi, angazhimi i përbashkët dhe eliminimi i të gjitha pengesave për lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si një kontribut për qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit në arritjen e një qëllimi të përbashkët përfundimtar - anëtarësimin e plotë në BE. Nga bashkëpunim më intensiv i bazuar në deklaratën e miratuar bashkarisht pritet që në vendkalimet kufitare, përveç kontrolleve të përbashkëta doganore, të ketë një bashkëpunim të përbashkët për kontrollet fitosanitare, si dhe lëvizje të lirë të qytetarëve të tri vendeve vetëm me karta identiteti”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Më tej thuhet se Deklarata krijon mundësi të tregut të hapur dhe qasje në iniciativat e biznesit në të gjithë rajonin, pavarësisht se ku janë krijuar ndërmarrjet, krijimin e vendeve të reja të punës dhe inkurajimin e potencialit për zhvillim të përgjithshëm.

"Kjo iniciativë hap mundësi të mëdha për të rinjtë që të lidhen me reputacionin e modelit evropian të zbatimit të standardeve të BE-së me synimin e përparimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe transformimit të përgjithshëm demokratik", thuhet në deklaratë.

Sonte, kryeministrave Zaev dhe Rama dhe presidentit Vuçiç do t'u bashkohen edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës Denis Zvizdiç dhe ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç, në një darkë të organizuar nga kryeministri Zorev ndërsa nesër do të fillojë pjesa e punës e takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Në axhendën e takimit të nesërm është paraparë seancë plenare e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve, pas së cilës ata do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për media. 

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.