BALLKANI

Ohër, fillon takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të paraqesin deklaratën miratuar dje

Abdula Berisha  | 10.11.2019 - Përdıtësım : 10.11.2019
Ohër, fillon takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal

Ohër

Në Ohër ka filluar takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe për realizimin e qëllimit të përbashkët, anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftojnë nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë takimit punues do të paraqesin para kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministres së Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç, deklaratën miratuar dje, bashkë me një listë të prioriteteve dhe masave për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, anëtarësimin në BE.

Në axhendën e sotme të takimit rajonal të liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet edhe një seancë plenare me përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Evropiane të Investimeve ndërsa është paraparë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Gjatë takimit trepalësh të mbajtur dje nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u konfirmua deklarata me listën e prioriteteve dhe masave për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, e cila rrjedh nga takimi i tyre i mëparshëm i mbajtur në qytetin Novi Sad të Serbisë.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut informojnë se baza e kësaj deklarate është bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si kontribut për qytetarët e shteteve të rajonit në realizimin e qëllimit final, anëtarësimin e plotë në BE.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.