Aldijana Hadzic
16 Qershor 2022•Përditësim: 16 Qershor 2022
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Türkiye-s (Turqisë), Mevlüt Çavuşoğlu, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, me theks të veçantë në investimet, energjinë dhe projektet infrastrukturore, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë takimit u bisedua edhe nënshkrimi i një marrëveshjeje, e cila do t'u mundësojë qytetarëve të Serbisë dhe Türkiye-s t'i vizitojnë të dyja vendet vetëm me letërnjoftime, thuhet në një deklaratë të Shërbimit për bashkëpunim me mediat të presidentit serb.
Vuçiq tha se Serbia mbetet e përkushtuar për përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë dhe shprehu kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve politike mes dy vendeve, të cilat janë në nivelin më të lartë falë dialogut intensiv, besimit dhe mbështetjes reciproke.
“Ne e shohim Türkiye-n si një partner të fortë dhe jemi shumë të përkushtuar për zhvillimin dhe thellimin e marrëdhënieve të përgjithshme. Ne kemi interesa të përbashkëta ekonomike dhe për ne është e rëndësishme që Türkiye të ndihmojë zhvillimin e pjesëve më pak të zhvilluara të Serbisë me investime të mëdha”, tha Vuçiq dhe theksoi se vlerëson shumë kontributin personal të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan për bashkëpunimin dypalësh dhe sjelljen e investitorëve turq në Serbi.
Vuçiq tha se lidhjet infrastrukturore janë çelësi për zhvillim edhe më të fuqishëm ekonomik dhe investime më të mëdha, por edhe për bashkëpunim në të gjithë rajonin dhe se autostrada Beograd-Sarajevë-Beograd është projekti më i rëndësishëm, i cili do të realizohet me ndihmën financiare të Turkiye-s.
Ai gjatë takimit me ministrin e Jashtëm turk tha se ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon është me interes kyç për Serbinë dhe se vetëm bashkëpunimi intensiv i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të mundësojë prosperitet dhe zhvillim jo vetëm të Serbisë, por edhe të të gjitha vendeve përreth.
Çavuşoğlu përcolli përshëndetjet e Erdoğan-it, i cili, siç paralajmëroi, së shpejti do të vizitojë Serbinë dhe rajonin. Ai falënderoi për mbështetjen e madhe që Serbia u jep kompanive turke si dhe për punën e përkushtuar të këtij vendi në përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve për investitorët.