Agim Sulaj
14 Gusht 2020•Përditësim: 16 Gusht 2020
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj sot ka raportuar para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, rreth menaxhimit të situatës me koronavirusin e ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Zemaj tha se sa i përket mbikëqyrjes së institucioneve të shëndetësisë në punën me menaxhimin e pandemisë së COVID-19 është shënuar progres, ngase ai ka marrë nën udhëheqje Komitetin për Menaxhimin e Situatës Pandemike si dhe një komitet tjetër ndërministror që ka të bëjë me të gjitha ministritë e linjës.
Ai tha se në aspektin e organizimit pjesa kryesore e angazhimit të tij si ministër ka qenë decentralizimi i shërbimeve shëndetësore.
“Sot kemi një nivel ndryshe të trajtimit të pacientëve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kemi edhe angazhim ndryshe të të gjithë profesionistëve anë e mbanë Kosovës. Tek Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka qenë e ngarkuar vetëm Klinika Infektive", tha Zemaj.
Ai theksoi se "Përpos në pesë klinikat tona në QKUK që japin shërbime COVID-19, kemi autorizuar dhe kërkuar që edhe spitalet e rajonit ta ofrojnë këtë shërbim, fatmirësisht në numër të konsiderueshëm, statistikat ekzistojnë çdo ditë që japim në ora 3 dhe janë duke kryer detyrën e tyre me nderë dhe përgjegjësi. Ajo çfarë është shqetësuese është vdekshmëria në të gjitha nivelet”.
Sipas tij, situata e krijuar nga COVID-19 është e menaxhueshme por që duhet më shumë respektim i masave.
Ai bëri të ditur se resurset humane janë të domosdoshme për menaxhimin e mirë të pandemisë ndërsa tha se “kemi kapacitete të limituara dhe kemi filluar me fazën e angazhimit të 200 profesionistëve”.
Siç tha Zemaj, sa i përket testimeve të të dyshuarve me COVID-19, ato në ditët në vazhdim do të bëhen në gjashtë qendra rajonale të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në Kosovë (IKSHPK), ndërsa tha se Ministria e Shëndetësisë është në fazën përfundimtare të sigurimit të shtatë aparaturave për testim, një në IKSHPK dhe gjashtë nëpër qendra rajonale.
Në Kosovë deri më tani me COVID-19 janë infektuar 10.988 pacientë nga të cilët kanë vdekur 373, ndërsa janë shëruar 6.616 pacientë.