Fatjon Cuka
22 Maj 2022•Përditësim: 23 Maj 2022
Gjatë një aktiviteti në Tiranë është prezantuar Kupa e Botës, trofeu i artë i cili i ndahet fituesit të Kampionatit Botëror, transmeton Anadolu Agency (AA).
Kupa, e cila do të qëndrojë e ekspozuar për futbolldashësit në ambientet e Kryeministrisë së Shqipërisë gjatë ditës së sotme, u prezantua me një ceremoni me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ish-futbollisti brazilian, Gilberto Silva, delegacioneve nga FIFA, të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe kompanisë Coca-Cola.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryeministri Rama tha se shpreson që sa më shumë futbolldashës të kenë mundësi ta vizitojnë sot këtë mjedis të hapur të Kryeministrisë për të parë Kupën.
"Jam shumë mirënjohës njërit prej kampionëve botërorë të Brazilit qe solli kupën këtu që kur e sheh nga afër mendon që edhe pse është bërë nga një skulptor italian duket sikur është prodhuar të jetë gjithmonë me Brazilin, pasi është me ngjyrat e arta e te gjelbra të uniformës së Brazilit. Kështu që nuk kishte askush më mirë sesa një kampion brazilian të vinte këtu dhe të ishte me kupën i pranishëm", u shpreh Rama.
Ish-futbollisti Silva gjatë fjalës së tij falënderoi zyrtarët shqiptarë për pritjen. "Ky moment për mua është shumë i veçantë. Është kënaqësi e madhe që gjendemi këtu", tha Silva.
Kampionati Botëror në Katar është planifikuar të nisë më 21 nëntor dhe do të zgjasë deri më 18 dhjetor të këtij viti.