Eren Beksaç
22 Tetor 2019•Përditësim: 23 Tetor 2019
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka hapur klasat parashkollore të shkollës fillore "Musa Zajmi" në Gjilan të cilat i ka rinovuar dhe furnizuar me inventarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e mbajtur në shkollë ka marrë pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, koordinatori i TIKA-s në Prishtinë, Hasan Burak Ceran, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kryetarja e Shoqatës Kulturore të Gjilanit, Filiz Sllamniku.
Sakar, në fjalimin e tij në ceremoni tha se për Turqinë është prioritet që fëmijët e Kosovës të kenë arsim të cilësisë së lartë.
Ai tha se projekti, hapjen e të cilit e kanë zhvilluar është dëshmi e lidhjeve historike mes Turqisë dhe Kosovës. "Këtu fëmijët turq dhe shqiptarë rriten së bashku. Kemi për detyrë ta falënderojmë kryetarin e komunës dhe zyrtarët tjerë për këtë ambient të ofruar", tha ambasadori turk.
Ndërsa Haziri, për mbështetjen e tyre e falënderoi popullin turk.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Haziri tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e ndihmës së bërë për klasat parashkollore. "Fëmijët nuk kanë dallime, nuk kanë etni. Ne garantojmë mësim në gjuhën amtare dhe integrim të plotë me shoqërinë", tha ai.
Nga ana e saj, Sllamniku tregoi se me anë të ndihmave të TIKA-s për herë të parë kanë hapur klasë parashkollore në gjuhën turke në Gjilan. "Besojmë se me hapjen e klasës do të rritet numri i nxënësve turq", u shpreh ajo.