BALLKANI

Shqipëri, shënohet Dita Kombëtare e Aktivizmit

Në Tiranë qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile mbajtën një marshim me qëllim sensibilizimin e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve të ndryshme

Saimir Alija  | 22.10.2019 - Përdıtësım : 23.10.2019
Shqipëri, shënohet Dita Kombëtare e Aktivizmit ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë
Në Shqipëri nëpërmjet disa aktiviteteve është shënuar Dita Kombëtare e Aktivizmit, duke mbledhur së bashku aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Tiranë qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile mbajtën një marshim në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", me qëllim sensibilizimin e institucioneve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve të ndryshme.

Me pankarta me mbishkrime "Të drejtat e njeriut janë të drejtat e grave dhe të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut", "Të drejtat për fëmijët-të drejta për të ardhmen", "Sindroma Down nuk është sëmundje", "Unë mund të jetoj një jetë të pavarur njësoj si ti", "Njerëzit lindin të barabartë dhe të lirë", aktivistët, nxënësit dhe qytetarët dhanë mesazhet e tyre mbi rëndësinë e aktivizmit.

Ndërkohë, aktivistët e shoqërisë civile në sheshin "Skënderbeu" në Tiranë kanë organizuar "Panairin e Aktivizmit", ku organizata të ndryshme prezantuan nisma të ndërmarra për të sjellë ndryshim në shoqëri dhe rritur bashkëpunimin mes organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve.

Me rastin e kësaj dite, aktivitete sensibilizuese rreth aktivizmit janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Qëllimi i organizimit të këtyre aktiviteteve ishte promovimi e nismave të organizatave të shoqërisë civile, nxënësve dhe studentëve në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe krijimit të mundësive të barabarta në shoqëri.

Dita Kombëtare e Aktivizmit, njihet ndryshe si dita dedikuar nismave që synojnë për të përmirësuar problematikat shqetësuese të shoqërisë, pavarësisht racës, etnisë apo gjinisë. Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.