BALLKANI

Siria njeh pavarësinë e Kosovës

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj, kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, tha Osmani

Agim Sulaj  | 29.10.2025 - Përdıtësım : 29.10.2025
Siria njeh pavarësinë e Kosovës

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Siria e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, raporton Anadolu.

Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Riad, tha se me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman, në Riad u arrit marrëveshja nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës.

Osmani e ka falënderuar presidentin sirian Ahmed Al-Sharaa për vendimin për njohjen e Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për Kosovën.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj, kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë”, tha Osmani.

Tutje, ajo falënderoi edhe Princin e Kurorës të Mbretërisë së Arabisë Saudite “që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona”.

Me këtë rast ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili shkroi në platformën amerikane X: “Sot sjell lajm të shkëlqyer: Kosova tani njihet zyrtarisht nga 120 vende, ndërsa Siria i bashkohet listës së vendeve që e njohin. I shprehim mirënjohjen tonë presidentes Osmani për përpjekjet e saj të suksesshme dhe të gjithë atyre që janë përfshirë. Presim me padurim forcimin e lidhjeve ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri dhe vendimtar në historinë e tij”.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Sirisë tha në një deklaratë në X se në Riad është zhvilluar takim trepalësh, ku janë diskutuar forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, rregullimi i çështjeve konsullore dhe perspektivat e bashkëpunimit.

“Në këtë kuadër, Republika Arabe e Sirisë shpall zyrtarisht se e njeh Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. Siria thekson gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie dypalëshe të bazuara në respekt të ndërsjellë, në mënyrë që t’u shërbejë interesave të dy popujve dhe të kontribuojë në sigurinë e Ballkanit dhe të botës”, tha Ministria siriane.

Ajo nënvizoi se ky hap është ndërmarrë në kuadër të procesit të rishikimit të gjerë që Siria po zhvillon në politikën e saj të jashtme, duke theksuar se vendi është i hapur për bashkëpunim me të gjitha shtetet e botës në bazë të parimeve të respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme.

Në deklaratë theksohet se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën “një qëndrim të qartë dhe të padiskutueshëm në emër të botës arabe”, duke shtuar se “qeveria e Damaskut synon të zhvillojë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe të rrisë koordinimin diplomatik në platformat ndërkombëtare në mënyrë që t’u shërbejë interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve”.

Me njohjen e Sirisë, tani Kosova njihet nga 120 shtete të botës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın