Në Tiranë po mbahet Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces, ndërsa në fokus të punimeve janë disa çështje në lidhje me integrimin e rajonit në tregun unik, procesin e integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor dhe çështje të tjera, raporton Anadolu.
Në fjalën përshëndetëse në hapje të samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ndihet vërtetë mirë që bashkohen e kujtojnë udhëtimin e përbashkët që u nis 9 vjet më parë nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel në Berlin.
"Gjatë këtyre 9 viteve kemi dëshmuar takime të panumërta midis nesh dhe palës së BE-së, si dhe mes nesh. Ne edhe u bëmë pionierë të iniciativave tona siç Ballkani Perëndimor që do të kishte qenë i pakonceptueshëm pa Procesin e Berlinit. U detyrohem mirënjohje vendeve si Franca, Italia, Austria, Gjermania, të cilat kanë qenë kampione të kësaj nisme nga 2014 e deri më tej. Mendoj që në fakt futja e kësaj fryme, kombinimi në frymën e rajonit është një arritje e madhe e Procesit të Berlinit, e kësaj nisme vizionare", u shpreh Rama.
Kryeministri Rama theksoi se "Ndërkohë që, ne jemi të bashkuar kundër veprimeve të Rusisë në Ukrainë, a jemi duke parashikuar, a po përgatisim një përgjigje ndaj sfidave politike me të cilat përballet komuniteti ynë?"
- Scholz: Procesi i Berlinit është një forum bashkëpunimi
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në fjalën në hapje të samitit tha se Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë, sipas tij jo vetëm që të çlirohet potenciali i plotë i bashkëpunimit rajonal, por edhe për të përshpejtuar integrimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
"Procesi i Berlinit është një forum bashkëpunimi kur bashkëpunimi është i nevojshëm. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës edhe një herë ka treguar sesa e rëndësishme është që ne të flasim me një zë të vetëm evropian dhe që ne të bashkëpunojmë edhe më tej. Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet dhe këto përshkallëzime të kohëve të fundit në veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo", u shpreh Scholz.
Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, u shpreh se synimi është për të ecur përpara për bashkëpunimin rajonal.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, ajo tha se "Ne jemi dëshmitarë të një lufte të tmerrshme që ka nisur Rusia kundër Ukrainës dhe Ukraina që lufton për sovranitetin dhe integritetin e vet territorial, por edhe për vlerat tona".
Presidentja e KE-së shtoi se tashmë kanë hedhur themele të forta me planin e investimeve ekonomike prej 30 miliardë eurosh. Ajo u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfundojnë dhe plotësojnë edhe tregun e tyre rajonal të përbashkët.
- Michel: Besoj që duhet të jemi gati deri në 2030 për t’u zgjeruar
Kreu i Këshillit Evropian, Charles Michel, në fjalën e tij tha se zgjerimi i BE-së është investim për paqen dhe begatinë qoftë të BE-së ashtu dhe të anëtarëve të ardhshëm.
"Procesi i Berlinit luan një rol të rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ midis partnerëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, duke patur integrimin në BE si dritën orientuese. Ne BE duhet të përgatitemi për të mirëpritur anëtarët e rinj. Në mënyrë të përsëritur mendoj dhe besoj që duhet të jemi gati deri në 2030 për t’u zgjeruar dhe e di që ky afat është hasur me disa skepticizma. Në BE zgjerimi është dhe do të mbetet gjithmonë një proces i bazuar në meritë", tha Michel.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, vendi i të cilit mban presidencën radhës të BE-së, tha në hapje të samiti se takimi ndodh në një moment kyç sepse sipas tij sfidat e kontinentit kanë bërë që zgjerimi përsa i përket BE-së të jetë në krye të agjendës.
"Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ishte një pikë kthese, por jo e vetmja, pandemia COVID 19, shndërrimi digjital, shndërrimi ekonomik, të gjithë këto çështje me të cilat ne duhet të përballemi dhe na kanë treguar se të ardhmen duhet ta ndërtojmë së bashku. Ne jemi tërësisht të angazhuar dhe do të punojmë për një Evropë të bashkuar", u shpreh Sanchez.
Në përfundim të sesionit të parë të punimeve të samit për liderët pjesëmarrës u mbajt edhe një shfaqje artistike me valle nga grupet muzikore të minoriteteve të Shqipërisë.
Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.
Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në proces, së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor.