Fajton Cuka
14 Dhjetor 2022•Përditësim: 15 Dhjetor 2022
Qeveria e Shqipërisë ka publikuar një deklaratë të përbashkët Shqipëri - Mbretëri e Bashkuar mbi “thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët”, duke përfshirë edhe çështjen emigracionit të paligjshëm, që ka shkaktuar debate dhe reagime në javët e fundit, transmeton Anadolu Agency(AA).
Sipas komunikatës të publikuar nga zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ranë dakord sot të thellojnë bashkëpunimin në tri fusha me interes të përbashkët: çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme (me vëmendje të posaçme te lufta kundër krimit të organizuar dhe emigracionit të paligjshëm); rritja ekonomike dhe investimet; novacioni, rinia dhe arsimi.
Sipas komunikatës, kjo deklaratë që thuhet se është nënshkruar nga Rama dhe Sunak vjen në kontekstin e angazhimit të dy "kryeministrave për të zgjeruar e thelluar marrëdhëniet tashmë të forta dypalëshe ndërmjet dy vendeve".
"Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar sapo kanë kremtuar njëqindvjetorin e marrëdhënieve diplomatike dhe diaspora energjike shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar jep kontribut domethënës për kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dyja vendeve", thuhet më tej.
"Ne jemi të përkushtuar të intensifikojmë më tej zbatimin e angazhimeve të përbashkëta ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e kontrollit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, përfshi të gjitha format e shfrytëzimit, si dhe migracionit të paligjshëm. Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të forcojnë më tej bashkëpunimin e shkëlqyer në veprimtaritë ligj-zbatuese, me objektivin për të ndaluar dhe goditur migracionin e paligjshëm dhe depërtimin e rrjeteve kriminale. Për këtë qëllim, dy qeveritë tona do të ngrenë një Grup të Përbashkët Pune në nivelin e Ministrisë së Brendshme/Home Office", thuhet në deklaratë.
Më tej, theksohet se Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të shtojnë numrin e personave të kthyer në Shqipëri, përfshi ata mbi moshën 18-vjeçare, që janë identifikuar nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Bashkuar si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.
Në deklaratën e përbashkët gjithashtu thuhet se dy vendet do vazhdojnë të punojmë për të nxitur tregtinë dhe investimet dypalëshe. Gjithashtu theksohet se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë t’u ofrojë mundësi studentëve që të ndjekin në Britani studimet pasuniversitare.
Kujtojmë se kryeministri Sunak konfirmoi se në kuadër të marrëveshjes së arritur me Shqipërinë rojet kufitare britanike do të caktohen me detyrë në Shqipëri dhe për të trajtuar kërkesat nga emigrantët shqiptarë do të formohet një njësi e veçantë e përbërë me 400 ekspertë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama në një deklaratë për mediat në lidhje me këtë çështje ka theksuar se “njësia e veçantë” ka qenë edhe një kërkesë e tij, që sipas tij e ka përsëritur vazhdimisht në komunikim me autoritetet britanike.