Fatjon Cuka
06 prill 2020•Përditësim: 07 prill 2020
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se edhe një tjetër pacient me koronavirusin e ri (COVID-19) ka ndërruar jetë në Shqipëri, ndërsa numri i viktimave gjithsej është rritur në 22, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftim ministria thekson se një pacient 90-vjeçar ka humbur jetën në Spitalin Infektiv në Tiranë, si pasojë e tromboembolisë pulmonare.
"90-vjeçari ishte i prekur edhe nga COVID-19 dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (tromboemboli pulmonare, diabet mellitus, hipertension). Pacienti ndodhej i shtruar prej 5 ditësh në Spitalin Infektiv në gjendje të rëndë shëndetësore", thuhet në njoftim.
Në Shqipëri numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) është 377, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa mes tyre janë shëruar 116 të prekur.
Kujtojmë se në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa masat janë shtyrë pa afat. Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.