Fatjon Cuka
25 Dhjetor 2022•Përditësim: 26 Dhjetor 2022
Besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë sot festën e Krishtlindjeve, ku në vend janë mbajtur meshat dhe ceremoni të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Meshat qendrore janë mbajtur në Tiranë, në Katedralen e Kishës Ortodokse dhe në Katedralen Katolike të “Shën Palit”, me pjesëmarrjen e besimtarëve të krishterë dhe personaliteteve të ndryshme.
Me rastin e Krishtlindjeve, zyrtarët e lartë të Shqipërisë kanë përcjellë mesazhet e tyre, duke uruar besimtarët e krishterë.
Në mesazhin e urimit të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, shkruan se uron që festa "të jetë një ditë plot lumturi e bekime për të gjithë besimtarët e krishterë".
"Me rastin e Krishtlindjes, u shpreh urimet më të ngrohta e të përzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë në Shqipëri dhe kudo në botë", shkruan Begaj.
Mesazhe urimi kanë përcjellë edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama.
Ditën e sotme besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë festën e Krishtlindjeve ndërkohë në vend shënohet si festë zyrtare.