Hatice Kesgin
06 Janar 2017•Përditësim: 07 Janar 2017
STAMBOLL (AA) – Besimtarët krishterë ortodoks në mbarë botën sot festojnë Buzmin, një ditë para festës së lindjes së Krishtit – Krishtlindjet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në Stamboll fillon kremtimi me liturgji, pason hedhja e kryqit në Detin Bosfor
Kisha ortodokse Greke Fener në Stamboll filloi kremtimin me liturgjinë në prag të Krishtlindjeve. Kremtimi filloi me liturgjinë që u mbajt në kishën “Aya Yorgi”, të cilën e udhëhoqi patriarku Bartholomej I.
Në ceremoninë katër-orëshe i pranishëm ishte edhe Ioannis Amanatidis, zv/ministri i Jashtëm grek. Pas liturgjisë do të pasojë hedhje tradicionale, dhe pastaj edhe kapja e kryqit në detin Bosfor.
Në Katedralen “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup i ndahet qypi kumbarit të ri
Poashtu, edhe në shumë vende të rajonit dhe më gjerë, sot festojnë Buzmin. Me këtë rast, në Maqedoni manifestimi qendror i festës së Buzmit shënohet me tubim para Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku si zakonisht manifestimi fillon me himnin dhe me ngritjen e flamurit të buzmit, ndërsa pastaj pason shenjtërimi i degëve të buzmit.
Në ndarjen tradicionale të qypit të Buzmit në pllajën e katedrales, i pranishëm ishte edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, i cili i dorëzoi qypin kumbarit të ri të këtij viti, ndërsa kryepeshkopi i Këshës Ortodokse Maqedonase, qytetarëve në fjalimin e tij u uroi shëndet, lumturi dhe sukses.
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dërgoi urim deri te kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase dhe te të gjithë krishterët, duke theksuar se: “Kisha Ortodokse Maqedonase si bashkësia më e madhe krishtere në Maqedoni, edhe në të ardhmen do ta plotësojë rolin e saj në shoqërinë tonë, duke e përhapur porosinë për falje pajtim dhe bashkim. Nëse duam të ndërtojmë shoqëri të respektuar dhe dinjitoze duhet të mësojmë ta zgjasim dorën dhe ta hapim zemrën me sinqeritet dhe besim ndaj njëri-tjetrit”.
Festa e Buzmit në Kosovë fillon me prerjen e drunjve në pyll
Ndërkohë, edhe besimtarët ortodoks serb në Kosovë sot festojnë Buzmin, e cila fillon me një festë tre-ditore të Krishtlindjeve. Buzmi në këtë vend fillon me shkuarjen e besimtarëve për prerjen e drunjve në pyll në afërsi të vendbanimeve të tyre.
Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, mëngjesin e sotëm në të gjitha kishat dhe manastiret në mbarë territorin e Kosovës mbajtën meshat në prag të Krishlindjeve. Në të gjitha kishat ortodokse në mbrëmje do të shërbehet liturgji, ndërsa në ora 17 do të fillojë shenjtërimi i degëve të buzmit.
Edhe pse ka shumë tradita, rregulli i përgjithshëm është se festa e Buzmit dhe Krishtlindjet është festë familjare dhe festohet në gjirin familjar. Besimtarët e festojnë këtë festë duke i uruar njëri-tjetrit paqe, lumturi, shëndet dhe prosperitet.
Familjet ortodokse në mbrëmjen e kësaj feste mblidhen në darkë dhe sipas traditës këtë natë nuk shkohet në gosti. Përgatitet tryezë e pasur kremte dhe gatuhet kulaç, ndërsa në disa vende bëhen lakrorë në të cilat futet monedhë. Besohet se ai tek i cili do të bie monedha do ta ndjekë fati gjatë tërë vitit. Gjithashtu natën e festës së Buzmit në zjarr vendoset një degë buzmi, e cila llogaritet si dru i shëndetshëm, që të jenë me shëndet e gjithë familja.
Krishtlindjet festohen në kujtim të lindjes së Jezu Krishtit, si festë amë e të gjitha festave krishtere, pasi që me lindjen e Krishtit llogaritet edhe fillimi i erës së re.
Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën shfrytëzojnë kalendarin Julian, të themeluar nën sundimin e Julius Caesar 45 p.e.s. dhe nuk e kanë pranuar kalendarin Gregorian i cili u themelua në vitin 1582 nga Papa romak Gregori. Dallimi në mes të dy kalendarëve është 13 ditë, prandaj besimtarët ortodoks festojnë Krishtlindjet më 7 janar, dhe jo më 25 dhjetor.