BALLKANI

Shqipëri, TIKA organizon program iftari

"Ndërsa sot ndajmë të njëjtën sofër në fakt po forcojmë edhe miqësinë dhe bashkëpunimin që kemi ndërtuar me institucionet dhe parterët tanë të çmuar të projekteve në Shqipëri", tha koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata

Fatjon Cuka  | 13.03.2026 - Përdıtësım : 13.03.2026
Shqipëri, TIKA organizon program iftari Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka organizuar një program iftari në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij përshëndetëse, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, i cili ishte i pranishëm në programin e iftarit, u shpreh se TIKA është një nga institucionet më kryesore që ofron ndihmë në Shqipëri në çdo fushë.

Duke theksuar se është shumë i lumtur që është pjesë e iftarit të organizuar nga zyra e TIKA-s në Tiranë, Atay u shpreh: "Uroj shumë që muaj i Ramazanit të ketë sjellë shumë bereqet dhe shumë paqe për të gjithë".

"Për fat të keq këtë vit ne kemi hasur gjatë Ramazanit edhe konflikte që kanë ndodhur në Lindjen e Mesme. Ne si Turqi dëshirojmë dhe jemi duke punuar shumë që të kthehet tryeza diplomatike e negociatave. Duke filluar që nga presidenti ynë mundohemi që gjatë gjithë kohës të tregojmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në sheshimin e këtyre mosmarrëveshjeve dhe për rikthimin e diplomacisë", tha ambasadori turk.

Atay gjithashtu falënderoi drejtuesit dhe punonjësit e TIKA-s, sipas tij për të gjithë punën që kanë bërë në Shqipëri.

Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Mustafa Ata, u shpreh se tema e programeve të Ramazanit për këtë vit është përcaktuar nga kryesia e TIKA-s, duke shtuar: "Le të jetë e begatë sofra jonë e zemrës".

"Ramazani është një nga rastet më të bukura për të ndarë me njëri-tjetrin, për të treguar solidaritet dhe për të ndërtuar ura ndërmjet zemrave. Ndërsa sot ndajmë të njëjtën sofër, në fakt, po forcojmë edhe miqësinë dhe bashkëpunimin që kemi ndërtuar me institucionet dhe parterët tanë të çmuar të projekteve në Shqipëri", tha Ata.

Ndër të tjera, ai u shpreh se zyra e TIKA-s në Tiranë vijon aktivitetin e saj në Shqipëri që prej vitit 1996 me qëllim për të kontribuar, sipas tij në forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë.

Ata gjithashtu njoftoi se gjatë kësaj periudhe kanë realizuar mbi 800 projekte në sektorë të ndryshëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın