Shqipëri, sot mbahet samiti i liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni
Në fokus të samitit që do të mbahet në Golem të Kavajës pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor

Tiranë/Kavajë
Në Shqipëri mbahet sot samiti i liderëve të vendeve të Procesit Bërdo-Brijuni, transmeton Anadolu.
Në fokus të samitit që do të mbahet në Golem të Kavajës pritet të jenë çështjet që prekin rajonin, si dhe proceset integruese të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, pritën mbrëmë krerët e shteteve që marrin pjesë në samit.
"Temat e diskutimeve lidhen me bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, integrimin evropian, Planin e Rritjes së BE-së, rininë dhe hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, sidomos të rinisë", thuhet në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë.
Përveç seancës plenare do të mbahen edhe takime dypalëshe mes liderëve.
"Ky samit pritet të dalë me konkluzionet përkatëse, të cilat konsiderohen si shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresit të tyre", thuhet ndër të tjera nga Presidenca e Shqipërisë.
Në përfundim të punimeve të samitit, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat.
Procesi i Bërdo-Brijunit është një nismë rajonale e iniciuar nga Sllovenia dhe Kroacia dhe pjesë janë dhe shtete të tjera nga Ballkani.