Fatjon Cuka
07 Qershor 2022•Përditësim: 07 Qershor 2022
Me pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, në Tiranë është organizuar samiti rajonal për transportin nën moton "Të formësojmë të ardhmen me rrugë të sigurta, inteligjente dhe të qëndrueshme", me fokus diskutimet për projektet strategjike të transportit, raporton Anadolu Agency (AA).
I pranishëm në hapje të samitit ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili theksoi se zhvillimi i projekteve strategjike ka hyrë në një fazë te re, sipas tij, falë mbështetjes evropiane përmes planit ekonomik të investimeve, si edhe falë një sinergjie shumë më të madhe brenda rajonit.
"Ne jemi në një fazë të avancuar tanimë të punës për korridorin blu, një nga segmentet e këtij korridori është tanimë në rrugën e ndërtimit. Segmentet e tjera janë në fazën përfundimtare të daljes në tender ndërkombëtar. Nga ana tjetër, na vjen shumë mirë që korridori i tetë ka hyrë në agjendën e diskutimeve dhe së bashku me qeverinë e Maqedonisë së Veriut ne jemi të koordinuar dhe shpresojmë shumë që edhe për këtë projekt që nënkupton praktikisht një kantier në të dyja anët e kufirit mbështetja e planit ekonomik të investimeve dhe institucioneve financiare nuk do të mungojë dhe as do të vonojë", tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi se janë duke finalizuar projektin e madh të portit të ri të Durrësit, i cili sipas tij praktikisht do të jetë porti i krejt Ballkanit Perëndimor dhe do të garantojë një aksesueshmeri shumë herë më të lartë.
"Për ne është shumë e rëndësishme që së shpejti këtë vit finalizojmë qendrën e menaxhimit të integruar të trafikut dhe hyjmë në fazën e zbatimit të projektit të rrugëve smart me 200 kilometrat e para, projekt që do ta vazhdojmë vit pas viti", u shpreh Rama.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, gjatë fjalës së saj tha se transporti dhe infrastruktura ka qenë dhe mbeten prioritet i Qeverisë së Shqipërisë.
"Një sërë projektesh madhore në infrastrukturë dhe transport kanë marrë jetë vitet e fundit në vendin tonë dhe po ashtu mjaft të tjera janë në proces realizimi. Politikat e ndjekura nga qeveria shqiptare kanë synuar zhvillimin e një sistemi efikas dhe të qëndrueshëm, por pa neglizhuar asnjëherë aspektin mjedisor", tha Balluku.
Balluku u shpreh se projektet madhore të Shqipërisë janë konceptuar në mënyrë të tillë që të ndërlidhen me vendet e tjera të rajonit, për të krijuar sipas saj një sistem sa më të mirë transporti rajonal dhe më gjerë.
Në samitin që u organizua nën kujdesin e Qeverisë së Shqipërisë, si dhe Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Bankës Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues të ministrive për transportin nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të transportit dhe zyrtarë të institucioneve të ndryshme.