Fatjon Cuka
26 Gusht 2024•Përditësim: 27 Gusht 2024
Në Shqipëri po mbahet Konferenca e Ambasadorëve "Tirana Diplo 2024", me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe konsujve të përgjithshëm të Shqipërisë nëpër botë, si dhe zyrtarë të tjerë, raporton Anadolu.
Në hapje të konferencës ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në fjalën e tij u shpreh se diplomacia shqiptare ka hyrë në një dinamikë të re.
"Duhet me patjetër që dhe trupi ynë diplomatik të ngjitet në një nivel të ri dhe ngjitja në një nivel të ri sot unë besoj është plotësisht e mundur, duke shfrytëzuar një eksperiencë shumë të pasur që ka ky komunitet, duke shfrytëzuar shembujt e shkëlqyer që janë përqafueses të këtij komuniteti dhe patjetër duke shfrytëzuar edhe momentin transformues të Shqipërisë", tha Rama.
Rama theksoi se e dinë shumë mirë që të gjithë se 2030 duhet të "na gjejë në gatishmëri të plotë për t’u ulur në tryezën e BE-së si anëtar të barabartë të familjes evropiane" dhe shtoi se aleancat strategjike janë të qarta.
"Ne jemi profilizuar dhe do të vazhdojmë te forcojmë profilin e partnerëve të padyshimtë dhe miqve të palëkundur. Natyrisht duke qenë këtu në ketë pjesë të Evropës që ka një trashëgimi jo të lehtë lëmshi të marrëdhënieve, të historive, të interesave, nuk është gjithmonë e lehtë, pasi fjala vjen, ne jemi miq tradicionalë të Türkiyes dhe të Greqisë, sa për të sjellë një shembull dhe për ne këto janë dy miqësi shumë të rëndësishëm, por në të njëjtën kohë për ne është e shkruar e zeza mbi të bardhë që në krye të herës në programin tonë qeverisës dhe është bërë pjesë e rendit të ditës të politikës sonë të jashtme, qoftë Türkiye, qoftë Greqia, së bashku me Italinë, janë partnerët tanë strategjikë", tha Rama.
Rama ka shtuar se Shqipëria do të mikpresë liderët e shteteve evropiane vitin e ardhshëm në Samirin e Komunitetit Politik Evropian dhe të Samitit të NATO-s në vitin 2027. Ai tha se do të hapin së shpejti edhe dyert e ambasadës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, në fjalën e tij tha se diplomacia shqiptare është një organizëm i gjallë, shumëdimensional dhe i projektuar drejt së ardhmes.
"Vitet e fundit politika e jashtme e Shqipërisë ka njohur rritje me rëndësi e të panjohura më parë: Këshilli i Sigurimit të OKB-së, kryesia e OSBE-së, Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, samiti i vendeve të Evropës Juglindore - Ukrainë, Presidenca e Procesit të Berlinit, e një seri e gjatë nismash rajonale. Sigurisht, këto arritje jo thjesht e vetëm i kanë dhënë një profil të ri imazhit të vendit në botë, por e kanë bërë diplomacinë gjithnjë e më pro aktive", tha Hasani.
Në ditën e parë të punimeve të konferencës ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila në fjalën e saj theksoi se kanë të njëjtat sfida dhe që sipas saj duhen zgjidhur së bashku.
"Dua të përqendrohem tek detyra jonë që është aktualisht shumë sfiduese, kjo është detyra për Këshillin e Sigurimit (të OKB-së). Pse e them këtë? Sepse të gjithë përballemi me një sërë konfliktesh përreth nesh, qoftë agresioni i tmerrshëm rus në Ukrainë apo zhvillimet në Lindjen e Mesme, me luftën mizore në Gaza, me vrasjen e civilëve të pafajshëm, grave, fëmijëve, shkeljen e së drejtës ndërkombëtare. Populli në Palestinë ka të drejtën e vetëvendosjes", tha Fajon.
Konferenca e Ambasadorëve "Tirana Diplo 2024" organizohet në datat 26-28 gusht 2024, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë. Sipas MEPJ-së, konferenca është një takim, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike të Shqipërisë në botë.