Admir Fazlagikj
23 Prill 2019•Përditësim: 23 Prill 2019
Duke dhënë libra dhe trëndafila si dhe me një program të përshtatshëm kulturor sot në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare (BNU) "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup u shënua Dita Botërore e Librit dhe të Drejtave të Autorit - 23 prilli, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ngjarje morën pjesë drejtori i BNU-së "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup, Frymzim Dauti, Sekretari i përgjithshëm i Komisionit nacional të UNESCO-s pranë Ministrisë së Kulturës të Maqedonisë së Veriut, Biljana Prentoska, Emilio Lonrenco Serra, ambasador i Mbretërisë së Spanjës në Maqedoni e Veriut si dhe dashamirë të shumtë të librit.
Emilija Majstorova nga BNU "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup, lexoi porosinë me rastin e Ditës Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit, Odrea Zuble, drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s. Në porosinë, mes tjerash, theksohet se “librat janë aleatët tanë në përhapjen e arsimit, shkencës, kulturës dhe informacionit kudo në botë. Librat po ashtu janë formë e shprehjes kulturore që u jep jetë gjuhëve dhe shprehet përmes tyre.
Sekretarja e përgjithshme e Komisionit Nacional të UNESCO-s pranë Ministrisë së Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Biljana Prentoska në adresimin para të pranishmëve tha se biblioteka nacionale dhe universitare tradicionalisht me vite suksesshëm shënon Ditën Botërore.
“Fjala e shkruar, libri dhe gjuha si një përfitim civilizues janë pjesë e rëndësishme e të shprehurit artistik, kulturor dhe shkencor. Ato janë shprehje dhe konfirmim i identitetit individual dhe kolektiv të diversitetit dhe përkatësisë. Viti 2019 nga ana e UNESCO-s është shpallur si vit ndërkombëtar i gjuhëve autoktone me qëllim që të mbrohet kultura, identiteti dhe të drejtat e këtyre popujve”, theksoi Prentoska.
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Librit, në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Spanjës në vend u hap ekspozita e pikturave me titull “Qytetet spanjolle me trashëgimi kulturore botërore”.
Nga BNU “Shën Klimenti i Ohrit” informuan se në vit rreth 90.000 përdorues shërbehen me fondet e bibliotekës dhe shfrytëzojnë edhe shërbime tjera të saj dhe se kjo bibliotekë momentalisht ka 1.600 anëtarë të regjistruar.