Husamedin Gina
23 Prill 2019•Përditësim: 24 Prill 2019
Në organizim të Shoqatës Kulturore Artisitke "Yeni Yol" nga Shkupi dhe në mbështetje të kompanisë TAV Maqedoni, sot u mbajt manifestim me rastin e festës kombëtare të Turqisë, 23 Prilli - Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe e Fëmijëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Nxënësit, turq, shqiptarë, maqedonas, boshnjakë dhe romë, duke filluar nga shkolla fillore Tefejjuz, të shoqëruar nga një orkestër e instrumenteve folklorike, parakaluan nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe arritën në sheshin "Filipi i Dytë", ku u organizua një aheng për më të vegjlit.
Ushtruesi i detyrës kryetar i shoqatës "Yeni Yol", Halil Abdullah, tha për AA se manifestimi këtë vit mbahet për herë të tretë dhe se kësaj here, me rastin e 23 Prillit, kanë vendosur të organizojnë parakalim dhe aheng për fëmijët në hapësirë të jashtme.
Duke dërguar mesazh nga Shkupi për të gjithë fëmijët në botë, Abdullah theksoi se të gjithë fëmijët në anembanë botës kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe lumturi.
"Fëmijët janë fëmijë kudo që të ndodhen në botë. Andaj, është e drejtë e tyre të jetojnë në paqe dhe lumturi. Kjo në fakt për të gjithë ne do të thotë shoqërim, të bëjmë diçka së bashku. Në qoftë se ne jemi në gjendje për të kontribuar që fëmijët t'i bëjmë të lumtur, atëherë edhe ne jemi krenar", deklaroi Abdullah.
Përkundër motit me shi, zbavitja në Sheshin "Filipi i Dytë" vazhdoi me fëmijët e veshur me kostume të ndryshme të bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, me lojëra, muzikë dhe vallëzim.
Krahas Shoqatës Kulturore Artistike "Yeni Yol" nga Shkupi, pjesëmarrës ishin edhe ansamblet Emin Duraku dhe Liljan nga Shkupi dhe nxënës të shkollave të ndryshme fillore.
Në Turqi sot shënohet Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe e Fëmijëve, si dhe 99-vjetori i themelimit të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë.