Shkup, mbahet koncert me muzikë mistike dhe klasike turke
Në koncertin e mbajtur në Universitetin Ndërkombëtar Ballkani, performoi Kori Rinor i Muzikës Turke i shoqatës ÖNDER nga Turqia, në bashkëpunim me organizatën humanitare "El Hilal"
Shkup
Shoqata e Imamëve dhe Ligjëruesve Fetarë ÖNDER nga Turqia në bashkëpunim me organizatën humanitare "El Hilal" nga Maqedonia e Veriut dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë, sot në Shkup organizuan koncert me këngë mistike dhe klasike turke, raporton Anadolu Agency (AA).
Në koncertin e mbajtur në Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), ku performoi Kori Rinor i Muzikës Turke i shoqatës ÖNDER, morën pjesë zëvendëskryetari i shoqatës përgjegjës për Kulturë dhe Art, Tayfur Esen, zëvendëskryetari Mehmet Sönmez, njëherësh kryetar i Komisionit Arsimor të shoqatës, kryetari i organizatës humanitare El Hilal, Behixhudin Shehabi, rektori i IBU-së, Mehmet Dursun Erdem, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend dhe shumë të ftuar të tjerë.
Në një prononcim për gazetarët, Esen shprehu shpresë që ekipi i ÖNDER, shoqatë e themeluar në vitin 1958, të ofrojë një performancë të mirë muzikore me një spektër të gjerë, duke filluar nga muzika mistike e deri te ajo klasike turke.
"Shpresoj që duke performuar pjesët tona muzikore, secili këtu ta gjejë veten brenda tyre, sepse ne asnjëherë nuk e ndajmë Bursën dhe Stambollin nga Shkupi dhe Tetova. Aq sa ato vende janë të vlefshme për ne dhe aq sa njerëzit atje janë të vlefshëm dhe e vlerësojnë muzikën, po aq vërejtëm se edhe njerëzit këtu kanë të njëjtin vlerësim", tha Esen.
Ndërkaq, Sönmez në fjalën e tij theksoi se Ballkani për Turqinë është derë drejt Evropës.
"Ekzistojnë lidhje të shumta kulturore, shoqërore, ekonomike dhe politike që e bëjnë rajonin e Ballkanit të rëndësishëm nga këndvështrimi i Turqisë. Më e rëndësishmja prej këtyre është se në shtetet e Ballkanit jetojnë turq dhe muslimanë", tha Sönmez, duke theksuar se së bashku me institucionet dhe organizatat turke dëshirojnë të bashkëpunojnë për të shërbyer si urë midis Turqisë dhe Ballkanit.
Nga ana tjetër, kryetari i El Hilal, Shehabi, u shpreh se përmes këtij organizimi janë përpjekur t'i rigjallërojnë dhe ruajnë vlerat.
"Këta të rinj tanë sonte do të performojnë artin e muzikës i cili në periudhën osmane ka pasionuar zemrat tona, ka ushqyer shpirtrat tanë dhe ka pasuruar tutje botën tonë shpirtërore. Këta të rinj me të vërtetë po hapin një shteg në medresetë 'imam hatip' (imamëve dhe ligjëruesve fetarë)", tha Shehabi.
Po ashtu, rektori i IBU-së, Erdem, tha se aktiviteti i sontëm është një aktivitet shpresëdhënës, posaçërisht që të rinjtë shfaqin veten me muzikë, letërsi, art dhe elemente estetike.
"Na ka gëzuar shumë fakti që shoqata ÖNDER ka zgjedhur Maqedononë e Veriut, Shkupin, dhe të jenë mysafirë të Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik", shtoi Erdem.
Kori nga Turqia, i përbërë nga nxënës të medresesë "Hakkı Demir" nga Stambolli, performoi pas leximit nga Kurani Famëlartë dhe shfaqjes së filmit promovues të shoqatës ÖNDER.
Krahas muzikës klasike turke, muzikës popullore dhe asaj mistike, melodive dhe himneve, u performuan edhe ilahi në gjuhën shqipe dhe boshnjake.
Kori Rinor i Muzikës Turke i shoqatës ÖNDER nesër do të performojë edhe në Tetovë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
